Ky është personi i pestë që po trajtohet në spitalin e Gjilanit pas vrasjes së trefishtë që ndodhi dje

 

 

Qyteti i Gjilanit është tronditur dje nga një ngjarje tepër e rëndë dhe tragjike. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri brenda një kafeneje në rrugën “Ibrahim Rugova”, tre persona kanë humbur jetën.

Mes viktimave janë babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të njohur si argjendarë në qytet, të cilët u vranë në rrethana të dhunshme. Personi i tretë që humbi jetën është Abedin Hoxha, babai i Bujar Hoxhës i cili është dhëndri i Selami Hasanit.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta Bujar Hoxha është një nga personat kyç të përfshirë në këtë ngjarje, dhe aktualisht ndodhet në QKUK. Burime të afërta bëjnë të ditur se thelbi i konfliktit që çoi në vrasjen e trefishtë ka nisur pikërisht nga Bujar Hoxha.

Ndërkohë, në Spitalin e Gjilanit po trajtohet edhe një person i pestë, Naim Hoxha, vëllai i Bujarit, i cili ka pësuar lëndime të lehta. Sipas burimeve të Insajderit, ai është intervistuar nga policia në lidhje me ngjarjen tragjike që tronditi qytetin.

Sipas informacioneve të Insajderit, të siguruara nga burime të afërta me familjarët e viktimave, del se Bujar Hoxha e kishte denoncuar para dy javësh në polici Mefail Shkodrën, në lidhje me rastin e fajdeve. Mefaili ishte intervistuar nga prokurorja Habibe Salihu dhe më pas ishte lënë i lirë.

Vetëm një javë më parë, ishte caktuar një takim për të dje (ditën e ngjarjes) me Mefail Shkodrën për të sqaruar situatën e krijuar. Megjithatë, takimi nuk shkoi sipas pritjeve dhe përfundoi në mënyrë tragjike, me tre persona të vrarë.

Sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është arrestuar në vendngjarje. Ndërsa tre të tjerë, Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22), janë shpallur në kërkim dhe aktualisht ndodhen në arrati.

Kush është Mefail Shkodra?

Mefail Shkodra, i përfshirë direkt në këtë rast, ka qenë më parë i njohur për lidhje me figura të larta politike në vend. Ai është parë në shoqëri me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriun. Në qershor të vitit të kaluar, Mefail Shkodra dhe djali i tij ishin arrestuar nën dyshimin për përfshirje në fajde, ku gjatë një operacioni policor u sekuestruan vetura luksoze, armë, para dhe dokumente të ndryshme.

Ngjarja e djeshme mbetet një nga më të rëndat që ka goditur Gjilanin në vitet e fundit dhe hetimet për zbardhjen e plotë të saj janë ende në zhvillim.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…