Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Ish – sindikalisti i RTK’së, Fadil Hoxha, akuzon ish-drejtuesit për lidhje me biznesmenë të fuqishëm, Ngadhnjim Kastrati kundërpërgjigjet me shumat marramendëse, ndërsa Arsim Halili publikon një email që pretendon se zbulon një marrëveshje korruptive. Ndërkohë, stafi i RTK’së ende nuk ka marr pagat e muajit korrik.

Një debat i ashpër publik ka shpërthyer mes ish-drejtuesve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), drejtorit të Radio Kosovës dhe ish-bashkëpunëtorëve të emisionit “Jeta në Kosovë”, pas publikimit të një hulumtimi nga Fadil Hoxha, ish-sindikalist i RTK’së e aktualisht këshilltar i U.D. Drejtori i RTK-së Hundozi, dhe dost me Rilind Gërvallën.

Në postimin e tij, Hoxha akuzon menaxhmentet e kaluara të RTK’së për lidhje me biznesmenë të fuqishëm, përfshirë korporatën “Devolli Group”, duke e ndërlidhur largimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” nga transmetimi me publikimin, më 30 prill 2020, të hulumtimit “Monopoli me Dritë të Diellit – ZRrE dhe Devolli”.

Ky hulumtim, sipas tij, kishte zbuluar një skemë për përfitime të paligjshme nga tarifat nxitëse për energjinë diellore, që do t’u sillnin kompanive përfitime rreth 20 milionë euro.

Hoxha detajon se pas publikimit të emisionit, transmetimi i tij u ndërpre fillimisht në internet dhe më pas në kanalet televizive. Ai akuzon ish-drejtuesit, përfshirë ish-drejtorin gjeneral Ngadhnjim Kastrati, për refuzimin e ofertave të BIRN’it për bashkëpunim pa kosto financiare për RTK’në dhe humbjen e një granti prej 39 mijë euro nga Bashkimi Evropian.

Në këtë kontekst, Hoxha e lidh Kastratin edhe me emërimin e tij të mëvonshëm si drejtor i “ABC Neës” në Shqipëri, medium që sipas disa deklaratave publike, ka lidhje me Devollët.

Nga ana tjetër, nuk ka heshtur ish-drejtori gjeneral i RTK’së, Ngadhnjim Kastrati.  Në një reagim në Facebook, Kastrati akuzon drejtpërdrejt Jeta Xharrën për përfitime të mëdha financiare nga RTK-ja, duke pretenduar se ajo ka marrë rreth 2 milionë euro përgjatë viteve, dhe në periudha të caktuara, pagesa mujore ka arritur deri në 28 mijë euro.

Kastrati mohon kategorikisht se vendimi për ndërprerjen e emisionit është marrë me porosi të Devollëve, duke sfiduar Xharrën që të sjellë “qoftë edhe një provë të vogël” që ai ose ndonjë i dërguar i tij ka ndërhyrë për këtë arsye.

Sipas tij, vendimi për mos vazhdimin e kontratës ka qenë ligjor dhe i bazuar në faktin se debatet informative duhet të realizohen nga vetë RTK’ja, ndërsa emisionet hulumtuese duhet të aplikojnë përmes konkurseve publike.

Ai pretendon gjithashtu se Xharra ka refuzuar të punojë me pagë të rregullt në RTK, duke kërkuar që të vazhdojë modelin e mëparshëm të kontratave, dhe paralajmëron se do të publikojë fakte për politikanë e diplomatë që, sipas tij, kanë bërë presion për vazhdimin e emisionit.

Në këtë debat është kyçur edhe drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili.  Ai ka dalë me një deklaratë të ashpër publike, ku pretendon se ka zbuluar një “marrëveshje korruptive” brenda RTK’se, duke publikuar edhe një e-mail që sipas tij e vërteton këtë.

“Më 6 gusht 2025, kam pranuar në mënyrë të paqëllimshme një email që ishte dërguar në adresën time gabimisht. Pas shqyrtimit të tij, identifikova probleme serioze lidhur me mundësinë e shkeljes së Ligjit për RTK”, shkruan Halili.

Ai thotë se “emaili, i dërguar në kuadër të një strukture të brendshme të RTK-së, përmbante udhëzime të detajuara nga Udhëheqësja e Zyrës Ligjore në RTK, për ta favorizuar një subjekt privat (produksion i jashtëm) duke e udhëzuar atë mbi mënyrën e përgatitjes së aplikimit dhe përmbajtjen e kërkesës për aplikim në RTK”

Halili thekson se “në këtë rast nuk ka pasur konkurs, çka përbën shkelje të procedurave të ligjshme dhe të parimit të konkurrencës së hapur”.

Ai kujton se neni 12 i Ligjit për RTK përcakton se “produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes konkursit publik”.

Ky veprim, sipas tij, është “veçanërisht shqetësues në rrethanat kur RTK po përballet me sfida të mëdha financiare dhe punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit korrik.”

Drejtori i Radio Kosovës shton se edhe mënyra e pagesës së subjektit të favorizuar është e dyshimtë: “Edhe kompensimi përmes sekondave të marketingut pa një proces të hapur e konkurrues është po ashtu i paligjshëm”.

Sipas Halilit, nga të dhënat zyrtare “ky subjekt ka përfituar mbi 2.2 milionë euro nga RTK përmes marrëveshjeve të dyshimta antiligjore, madje edhe pa procedurat e rregullta të prokurimit publik”.

Në fund, ai lëshon akuza të drejtpërdrejta: “Kumara i kësaj ngjizjeje korruptive së bashku me tuxharën mediale në Kosovë, në tentativë për ta konkretizuar marrëveshjen korruptive, janë bërë bashkë në përpjekje për ta njollosur publikisht emrin tim përmes disa postimeve në media sociale dhe platforma të tjera”.

Halili paralajmëron se “përgjigjen dhe sqarimet e plota rreth këtyre përpjekjeve do t’i trajtoj në mënyrë të detajuar në episodin e ardhshëm të komunikimit tim publik”, duke shtuar se “qëndron i përkushtuar për të garantuar ligjshmëri, transparencë dhe mbrojtje të interesit publik në çdo proces që përfshin transmetuesin publik”.

Halili ka ftuar anëtarët aktualë të Bordit të RTK’së, Agjencinë kundër Korrupsionit, hetuesinë dhe Prokurorinë që të shqyrtojnë menjëherë këtë rast, sipas tij, me elemente serioze korruptive.

Related Posts