Shtëpia e Bardhë po shqyrton ftesën për Zelenskyn në samitin Trump-Putin në Alaska

 

 

Sipas raportimeve në SHBA, Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e përfshirjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një takim të mundshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, që pritet të mbahet të premten në Alaska.

Raportimet vijnë një ditë pasi Uashingtoni dhe Moska konfirmuan se presidentët e SHBA-së dhe Rusisë do të takohen për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Një zyrtar i lartë amerikan dhe tre persona të informuar mbi diskutimet e brendshme i thanë NBC News se administrata Trump tani po e shqyrton seriozisht ftesën për Zelenskyn në samit.

“Po diskutohet”, është shprehur një nga personat e informuar mbi bisedimet.

Burimet shtojnë se vizita ende nuk është finalizuar dhe nuk është e qartë nëse udhëheqësi ukrainas do të jetë fizikisht në Alaska. Por një zyrtar i lartë i administratës ka deklaruar se kjo është:

“Absolutisht” e mundur.

“Të gjithë shpresojnë shumë që kjo do të ndodhë”, ka thënë ai.

I pyetur nga mediat nëse SHBA-të e kishin ftuar zyrtarisht Zelenskyn, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë është përgjigjur: “Presidenti mbetet i hapur për një samit trepalësh me të dy udhëheqësit. Aktualisht, Shtëpia e Bardhë po përqendrohet në planifikimin e takimit dypalësh të kërkuar nga Presidenti Putin.”

Ndërkohë, të premten, para konfirmimit të samitit, Trump kishte deklaruar nga Shtëpia e Bardhë:

“Po i afrohemi shumë një marrëveshjeje” që do t’i jepte fund konfliktit.

Presidenti amerikan shtoi më tej se marrëveshja do të përfshijë: “Disa shkëmbime territoresh në dobi të të dyja palëve.”

Samiti pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e luftës në Ukrainë, ndërsa sytë e botës do të jenë drejt Alaskës këtë të premte

  • Shkrime të ngjashme

    Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”. Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik,…

    Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave. Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime. Komunat në të cilat ka përfunduar…