Çfarë është virusi ‘chikungunya’ nga i cili janë infektuar mijëra njerëz në Kinë?

 

 

Në provincën Guangdong të Kinës janë raportuar mbi 7,000 raste të virusit ‘chikungunya’, i cili transmetohet nga mushkonjat. Qyteti Foshan është më i godituri, ku pacientët mbahen në spital nën masa të rrepta kundër përhapjes.

Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në provincën jugore Guangdong kanë raportuar infeksione.

Gati 3,000 raste u raportuan vetëm javën e fundit.

Edhe pse rastet janë të lehta, autoritetet kineze kanë paralajmëruar për kujdes të shtuar, raporton Teegrafi, transmeton Periskopi.

Megjithatë, rastet kanë çuar në panik, duke pasur parasysh se virusi nuk është i njohur gjerësisht në vend

Ndërkohë SHBA-të u kanë kërkuar udhëtarëve në Kinë të tregojnë “kujdes të shtuar” pas shpërthimit.

Por çfarë është ‘chikungunya’?

Shumica e njerëzve të pickuar nga një mushkonjë e infektuar do të zhvillojnë simptoma të ‘chikungunya’ brenda tri deri në shtatë ditësh.

Përveç etheve dhe dhimbjeve të kyçeve, simptoma të tjera përfshijnë skuqje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe ënjtje të kyçeve.

Në shumicën e rasteve, pacientët do të ndihen më mirë brenda një jave. Megjithatë, në raste të rënda, dhimbja e kyçeve mund të zgjasë për muaj ose edhe vite.

Ata që janë në rrezik për sëmundje më të rënda përfshijnë të porsalindurit, të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore themelore, të tilla si sëmundjet e zemrës ose diabeti.

Nuk ka kurë, por vdekjet nga ‘chikungunya’ janë të rralla.

Virusi u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952. Më pas u përhap në vende të tjera në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Juglindore.

Deri më sot, është raportuar në më shumë se 110 vende.

Mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit është “zvogëlimi” i pellgjeve të ujit të ndenjur që lejojnë mushkonjat të shumohen, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /Periskopi

  • Shkrime të ngjashme

    Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”. Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik,…

    Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave. Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime. Komunat në të cilat ka përfunduar…