​Mbyllet një klinikë në veri, inspektorati gjen mangësi të rënda dhe rrezik për pacientët

 

 

Drejtoria e Inspektoratit Komunal në Mitrovicën Veriore, në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë, ka ndërmarrë masa ndaj një klinike private me licencë, duke e mbyllur përkohësisht atë pas një inspektimi të detajuar në terren.

Gjatë kontrollit, janë identifikuar dhe larguar rreth 30 produkte mjekësore me afat të skaduar, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e pacientëve.

Po ashtu, janë konstatuar parregullsi në sistemin e ventilimit, si dhe mospërputhje në dokumentacion, përfshirë mungesën e noterizimit të disa dokumenteve të rëndësishme, gjë që përbën shkelje të standardeve profesionale dhe ligjore.

Autoritetet kanë bërë të ditur se nesër do të dalin në terren edhe Inspektorati Farmaceutik dhe ai Shëndetësor, për të kryer asgjësimin e artikujve të dyshimtë dhe për të thelluar hetimet rreth funksionimit të klinikës.

Ndërkohë, vijon procedura e rregullt administrative për marrjen e masave ndëshkuese, që përfshijnë edhe pezullimin e mundshëm të licencës, deri në përmirësimin e të gjitha mangësive të evidentuara.

Autoritetet lokale kanë theksuar se veprime të tilla janë të domosdoshme për garantimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë në shërbimet shëndetësore që u ofrohen qytetarëve.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…