Holanda ndan 500 milionë euro për të blerë armë amerikane për Ukrainën

 

 

Holanda njoftoi të hënën se do të kontribuojë me 500 milionë euro për të blerë pajisje ushtarake amerikane për Ukrainën, duke u bërë vendi i parë i NATO-s që kontribuon në një mekanizëm të ri për ta furnizuar Kievin me armë amerikane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha muajin e kaluar se SHBA-ja do ta furnizojë armë Ukrainën, të paguara nga aleatët evropianë, por nuk dha hollësi se si do të funksiononte kjo.

“Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do ta dorëzojë një paketë prej 500 milionë eurosh me sisteme armësh amerikane (duke përfshirë pjesë dhe raketa Patriot)”, tha ministri i Mbrojtjes i Holandës, Ruben Brekelmans, në një postim në X.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ish-kryeministër holandez, mirëpriti njoftimin dhe tha se ka inkurajuar edhe anëtarët e tjerë të aleancës të marrin pjesë në mekanizmin e ri, të quajtur Nisma e NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL).

“Kjo është për t’i dhënë Ukrainës pajisjet që i nevojiten urgjentisht tani për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, tha Rutte në një deklaratë.

“U kam shkruar të gjithë aleatëve të NATO-s, duke i nxitur të kontribuojnë në këtë nismë për ndarjen e barrës, dhe pres njoftime të tjera të rëndësishme nga aleatë të tjerë së shpejti”, shtoi ai.

Ambasadori i SHBA në NATO, Matthew Whitaker, i tha Reuters të hënën se ai priste që shumë më tepër vende të njoftojnë gjatë javëve në vijim se do të marrin pjesë.

“Po lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Whitaker në një intervistë në selinë e NATO-s në Bruksel.

I pyetur për një afat kohor për dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë përmes mekanizmit të ri, ai tha: “Mendoj se do të shohim përparim shumë të shpejtë, me siguri në javët në vijim, por mbase edhe më herët”.

“Holandezët janë vetëm të parët nga shumë të tjerë. Do të shihni një seri njoftimesh në javët në vijim”, shtoi ai.

NATO-ja tha se do ta koordinojë nismën e re, e cila financohet nga anëtarët evropianë të aleancës dhe nga Kanadaja, dhe do të ndahet në paketa me vlerë afërsisht 500 milionë dollarë secila.

Kievi mirëpriti vendimin e Holandës.

“Ukraina, dhe kështu e gjithë Evropa, do të jenë më mirë të mbrojtur nga terrori rus”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X.

“Jam sinqerisht mirënjohës ndaj Holandës për kontributin e saj të konsiderueshëm në forcimin e mburojës ajrore të Ukrainës”, shtoi ai./

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…