“Kemi hequr shumë, për së tepërmi” – bashkatdhetarët ankohen për vonesa në kufirin me Malin e Zi

 

 

Në kufirin Kosovë-Shqipëri këto ditë është arritur piku i fluksit të bashkatdhetarëve tanë nga vendet e perëndimit. Pas shumë orësh udhëtimi, bashkatdhetarët thonë se në përgjithësi kanë kaluar mirë, duke përjashtuar kufirin në Malin e Zi.

“Lodhje shumë, por krejt ka qenë në rregull, vetëm në Mal të Zi ishin rrugët e prishura dhe kemi hequr shumë për së tepërmi, i kemi bërë 9 km për katër orë e gjysmë”, tha Jeton Krasniqi, bashkatdhetar.

Edhe Mentor Morina ka thënë se vështirësi kanë pasur në Malin e Zi. “Pesë – gjashtë orë kemi bërë nga kufiri deri në Ulqin”, tha ai.

“Super, pak kolonë ama super. Kufiri i Malit të Zi gjithmonë ka pritje, një orë kemi pritur”, tha Elona Jusufi.

E Baftjar Mrina ka thënë se nuk ka pasur shumë vonesa në pikat kufitare dhe ka kaluar mirë gjatë rrugës.

Këto ditë vere edhe diaspora e Shqipërisë dëshiron ta vizitojë Kosovën. Ardian Malshi ka kërkuar që të bëhen më shumë lehtësira në lëvizjet e qytetarëve Kosovë-Shqipëri.

“Jam mirditor. Kam ardhur të bëj një xhiro për në Kosovë, por radhë e madhe, duhet heq dogana. Kishte radhë të mëdha, kemi bërë gjysmë ore. Gjyshërit e mi e kanë bë pazarin këtu, unë erdha për herë të parë, gjeta doganën. Gjyshi s’ka pas doganë e unë po”, tha ai.

Me gjithë fluksin e pandërprerë, policia kufitare është duke operuar më tetë sportele.

“Janë shtuar kontrollet, po ashtu janë shtuar edhe korsitë, punohet me tetë korsi. Vonesa e një automjeti në kontroll të dokumenteve është maksimumi një minutë, ndërsa pritjet e mërgimtarëve janë maksimumi 20 minuta”, tha Shpend Qevani nga policia kufitare në Vërmicë.

Pajisja e automjeteve me targa të huaja me policën e sigurimit tashmë është bërë traditë. BKS ka shtuar personelin, me qëllim që këto ditë të fluksit të bashkatdhetarëve të mos humbet shumë kohë.

“Ka numër të madh të automjeteve, numrin e saktë nuk mundem ta them, por dominojnë Zvicra, Gjermania, Italia, vendet nordike, do të thotë kështu shkon radhitja. Shifrat janë aty siç kanë qenë në vitin e kaluar, vetëm se kemi dallim në kohën në të cilën kanë ardhur”, tha Agron Berisha nga Byroja Kombëtare e Sigurimit.

Vetëm në 24 orët e fundit, përmes Vërmicës, në Kosovë u futën 52 mijë persona, me 15 mijë vetura. Ndërkohë, gjithsej në hyrje dhe dalje u regjistruan 80 mijë persona me 25 mijë vetura./

  • Shkrime të ngjashme

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…

    “Pezullim i përkohshëm”, ambasada amerikane flet pas vendimit për vizat imigruese

    Departamenti amerikan i Shtetit të mërkurën dha lajmin se ka marrë vendim për pezullimin e përpunimit të vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Ambasada amerikane ka dhënë shpjegime. Pas publikimit nga presidenti amerikan, Donald Trump,…