Urime: Fitorja e “252 mijë Eurove” e rehaton edhe kunatin në punë të shtetit

 

 

Krahas 100 mijë eurove për vëllain dhe 100 të tjerave për dajën nga Ministria e Bujqësisë, bashkëshortit 52 mijë nga Ministria e Kulturës, del që edhe kunati i deputetes së VV-së, Fitore Pacollit të jetë rahatuar në punë të shtetit, përcjell KFVA.

Valon Dalipi është vëllai i bashkëshortit të deputetes Pacolli, Ilir Dalipit.

Në 2 gushtin e vitit 2024, Valon Dalipi ishte përzgjedhur si kandidati më i suksesshëm në pozitën e përkthyesit në një prej agjencive më të rëndësishme të pavarura në vend, atë për Parandalimin e Korrupsionit.

Pozita për të cilën ai ishte përzgjedhur parasheh përkthime të dokumenteve të ndryshme nga shqipja në serbisht, sipas një dokumenti.

Sipas dokumenteve, në konkursin e shpallur në qershor të vitit 2024 kishin aplikuar në pozitën e përkthyesit 7 kandidatë, ku më pas në gusht kishte dalë njoftimi se Valon Dalipi ka rezultuar të jetë më i suksesshmi për këtë pozitë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me numër të pikëve të përgjithshëm 90.8.

Por për punësimin e Valon Dalipit, nga ky institucion kanë mohuar çdo mundësi që deputetja Fitore Pacolli të ketë pasur ndonjë ndikim në këtë punësim.

“Ky proces është i bazuar në kriteret ligjore, të matura dhe të dokumentuara përmes testimit dhe vlerësimit profesional, në përputhje të plotë me parimin e meritokracisë. APK nuk ka pasur nevojë që të jetë në dijeni për lidhje familjare të z. Valon Dalipi me deputeten e as deputetja e përmendur nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë mundësi faktike për të ndikuar në procesin e rekrutimit të zhvilluar nga Agjencia”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Madje arsyetojnë se kjo pozitë mbulohet nga përkthyer shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi apo Serbia, për shkak se nuk ka kandidatë të certifikuar brenda Kosovës.

“Pozita për përkthim në gjuhët shqip-serbisht ka një specifikë të veçantë për shkak të natyrës teknike të punës. Bazuar në përvojën e mëparshme, kjo pozitë zakonisht mbulohet nga përkthyes shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi apo Serbia, për shkak të mungesës së kandidatëve të certifikuar brenda Kosovës që përmbushin kërkesat e domosdoshme për përkthim të specializuar juridik dhe institucional. Në përmbyllje, e sigurojmë publikun dhe median se procesi i rekrutimit ka qenë i bazuar në standarde të larta profesionale dhe ligjore. Afërsia familjare e mundshme nuk ka ndikuar në asnjë mënyrë – e as nuk do të mund të ndikojë në asnjë vendimmarrje të APK-së, e cila është institucion i pavarur dhe i angazhuar për integritet të plotë institucional”, thuhet në përgjigjen e APK-së për mediumin.

Javën e kaluar u raportua se bashëshorti i deputetes, Ilir Dalipi kishte përfituar 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës e drejtuar nga Hajrulla Çeku përmes organizatës “Defy Them”.

Madje se bashëshorti i saj është bashkëthemelues i kësaj organizate e konfirmoi edhe vetë deputetja në një postim të bërë në Facebook, por që sipas saj ai më s’ishte pjesë e kësaj organizate.

Jo 50, por nga 100 mijë kishin marrë familjarë tjerë të deputetes së VV-së nga ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci. Bëhet fjalë për vëllain dhe dajën e saj.

100 mijë euro në formë granti i ishin dhënë vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit për një shtallë. Blerim Pacolli, vëllai i deputetes Pacolli me firmën “Alda Farm Ria”, ishte nënshkruar me 16 korrik, derisa ajo ishte hapur me 12 korrik.

Ministria e Pecit ishte raportuar se i kishte ndarë një grant prej 100 mijë eurove edhe dajës së Pacollit, Sylejman Islamit.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…