Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Tërmeti me magnitudë 8.7 ballë që goditi në brigjet lindore të Rusisë ka ndodhur në një rajon të njohur si një ‘thyerje e madhe shtytëse’, ku pllaka më e dendur e Paqësorit rrëshqet nën pllakën më të lehtë të Amerikës së Veriut, shpjegojnë shkencëtarët.

Lëvizjet e vazhdueshme të pllakës së Paqësorit e bëjnë gadishullin Kamçatka, në lindje të largët të Rusisë, një zonë shumë të rrezikuar nga tërmetet. Ekspertët paralajmërojnë se nuk përjashtohet mundësia e pasgoditjeve më të forta.

Tërmeti kishte epiqendrën pranë qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky dhe ishte më i fuqishmi në këtë rajon që nga katastrofa e vitit 2011 në Japoni, kur një tërmet 9.1 ballë shkaktoi një cunami vdekjeprurës dhe dëmtimin e centralit bërthamor të Fukushimës.

Atëherë, vala arriti deri në 40 metra lartësi dhe shkaktoi afro 20.000 viktima.

“Kamçatka është një nga zonat më aktive sizmike në ‘Unazën e Zjarrit’ të Paqësorit, dhe pllaka e Paqësorit lëviz drejt perëndimit me rreth 80 milimetra në vit,” tha sizmologu Roger Musson.

Ai shton se tërmetet që ndodhin në zona ku një pllakë zhytet nën tjetrën, si në këtë rast, janë shumë më të fuqishëm se ata që ndodhin në thyerje horizontale, si ai i Mianmarit në mars.

Kamçatka ka një histori tërmetesh të forta, përfshirë atë të vitit 1952 me magnitudë 9 ballë, që shkatërroi qytetin Severo-Kurilsk dhe shkaktoi dëme deri në Havai.

Tërmetet në këto zona ‘shtytëse’ kanë më shumë gjasa të shkaktojnë cunami, pasi ndodhin në fund të detit dhe zhvendosin sasi të mëdha uji. “Tërmetet detare mbartin gjithmonë potencial për cunami,” tha Adam Pascale nga Qendra Sizmologjike e Australisë.

Tërmeti i fuqishëm i së martës erdhi vetëm dy javë pas një tjetër tërmeti me magnitudë 7.4 në të njëjtën zonë, i cili tashmë konsiderohet si ‘paralajmërues’.

Tërmetet janë, nga natyra, të paparashikueshëm. Nuk ka sinjale të qëndrueshme shkencore që mund të parashikojnë saktësisht se çfarë vjen më pas,” shtoi Pascale, duke theksuar se mund të ketë edhe lëkundje më të forta në ditët apo javët e ardhshme.

Kamçatka, megjithëse një rajon i largët, ndodhet në ‘Unazën e Zjarrit të Paqësorit’, një zonë që karakterizohet nga aktivitet i lartë sizmik dhe praninë e shumë vullkaneve.

Sipërfaqja e Tokës është ndarë në pllaka tektonike që lëvizin në raport me njëra-tjetrën. ‘Unaza e Zjarri’ është një hark i madh pllakash që rrethon Paqësorin dhe përfshin vende si Japonia, SHBA, Rusia e Indonezia. Rreth 80% e tërmeteve në botë ndodhin pikërisht në këtë zonë, sipas Shërbimit Gjeologjik Britanik.

Pranë Kamçatkës, pllaka e Paqësorit lëviz rreth 8 centimetra në vit drejt veriperëndimit, duke u ndeshur me një mikropllakë më të vogël të quajtur pllaka e Ohotskut. Pllaka e Paqësorit, më e dendur dhe oqeanike, zhytet nën tjetrën, ngrohët dhe fillon të shkrihet, një proces që nuk është gjithmonë i qetë.

Kur pllakat ‘bllokohen’ për një kohë të gjatë, energjia grumbullohet dhe çlirohet në pak minuta përmes një tërmeti të fuqishëm.

Për këto lloj tërmetesh, nuk kemi vetëm një pikë të vetme. Shpërthimi i thyerjes mund të përhapet për qindra kilometra,” shpjegoi Dr. Stephen Hicks nga University College London.

Tre tërmetet më të fortë të regjistruar ndonjëherë, në Kili, Alaskë dhe Sumatra kanë ndodhur në zona të ngjashme tërmetesh shumë të mëdha.

Tërmetet e mëdha në fund të detit mund të zhvendosin ujërat sipër tyre, duke krijuar cunami. Në ujëra të thella, cunami lëviz me shpejtësi mbi 800 km/h, afërsisht sa një avion pasagjerësh. Por dallgët janë të gjata dhe jo shumë të larta.

Kur afrohet bregu, shpejtësia bie në rreth 20–30 km/h, distanca mes dallgëve zvogëlohet dhe ato rriten në lartësi, duke krijuar një mur uji pranë bregut. Por një tërmet i madh nuk garanton gjithmonë edhe një cunami të madh.

Për shkak të vështirësisë së parashikimit të tërmeteve, vendet përreth Paqësorit kanë ngritur sisteme të paralajmërimit për cunami, për të evakuuar popullsinë në rast rreziku. Ky sistem u forcua pas tragjedisë së vitit 2004 në Oqeanin Indian, ku vdiqën mbi 230.000 njerëz në 14 vende.

Related Posts