Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Një ekip i specializuar i Kërkimit dhe Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka zbarkuar mëngjesin e djeshëm në Liqenin e Ujmanit për të marrë pjesë në një aksion kërkim-shpëtimi për gjetjen e trupit të zhdukur të qytetarit Rrahim Latifi, i cili kërceu nga ura e Ujmanit më 27 korrik.

Lidhur me këtë, komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka autorizuar FSK-në që të vendosë ekipe të Kërkim-Shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit/Gazivodës, njofton KFOR.

“Autorizimi, i bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me të drejtat dhe kompetencat e Komandantit të KFOR-it, me qëllim maksimizimin e përpjekjeve në vijim për të lokalizuar dhe rikuperuar një burrë 33-vjeçar që dyshohet se është mbytur në liqen, disa ditë më parë. Ky autorizim është i kushtëzuar me kërkesa dhe kufizime specifike të vendosura nga KFOR, i cili gjithashtu do të sigurojë sigurinë gjatë gjithë operacionit,”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Genc Metaj, shef i Agjencisë së Emergjencave, ka thënë se kërkesa për angazhimin e FSK-së në gjetjen e trupit të personit që është hedhur në Ujman e kanë bërë për shkak se me kapacitetet aktuale nuk kanë arritur ta gjejnë trupin deri më tash. Ai në një deklarim për media ka thënë se kërkesa është bërë të hënën.

Këto zhvillime kanë sjellë shumë reagime nga opinioni publik, ku shumë akterë politikë e kanë quajtur këtë si “operacionin e parë të FSK-së në veri të Kosovës”.

Ka pasur akuza për heqjen e automjeteve të KFOR-it nga fotot e shpërndara, të cilat janë konsideruar si një tentativë për të manipuluar me informacionet.

Për këtë çështje, ka reaguar Ambasada Gjermane në Prishtinë, duke shprehur shqetësimin e saj lidhur me politizimin e kësaj çështjeje. Ambasada ka theksuar se “humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, jo një rast për pikëzim politik”.

“Ambasada Gjermane është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar vendosjen e sotme të një ekipi të specializuar të Kërkimit dhe Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit – një operacion i lehtësuar nga KFOR-i në përputhje të plotë me mandatin e tij dhe i miratuar nga Komandanti i KFOR-it vetëm për qëllime humanitare,”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Në përgjigje të këtij reagimi, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka hedhur poshtë akuzat për manipulimin e imazheve dhe ka theksuar se ambasada është vënë në lajthitje nga lajmet e rreme. Ai ka theksuar se veprimet e LVV-së kanë qenë të bazuara në fakte dhe se “nuk duhet të shtresëzohen mbi lajme të rreme”.

Kurse, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e quajti të neveritshme propagandën e pushtetit.

Ajo akuzoi VV-në për mungesë ndjeshmërie njerëzore dhe për përpjekje për të rishkruar historinë.

“FSK nuk ka shkuar në veri për luftë, por për të ndihmuar në një tragjedi njerëzore. Marrë ju qoftë!”, shkroi ajo në ‘Facebook’.

Tutje, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka ofruar mbështetje të plotë për KFOR-in dhe ka theksuar rëndësinë e respektit ndaj këtij misioni.

Ai ka thënë: “Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon”.

Po ashtu, ai ka theksuar se “Franca do të vazhdojë t’i ofrojë misionit gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”.

Related Posts