Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Një ish-deputet gjerman u dënua sot nga një gjykatë në Mynih me nëntë muaj burg me kusht për përfshirjen e tij në një rast korrupsioni në Këshillin e Evropës, i njohur ndryshe si skandali “Caviargate”.

Bëhet fjalë për Eduard Lindner, 80 vjeç, ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i cili akuzohej se kishte marrë disa miliona euro nga Azerbajxhani gjatë viteve 2008–2016, përmes kompanive fiktive.

Sipas aktakuzës, një pjesë e këtyre parave ishte shpërndarë te anëtarë të tjerë të Asamblesë për të votuar në favor të Azerbajxhanit apo për të folur pozitivisht për të në media.

“Bëhet fjalë për një rast klasik të blerjes së votave,” thuhet në vendimin e gjykatës gjermane.

Azerbajxhani, anëtar i Këshillit të Evropës që nga viti 2001, është kritikuar vazhdimisht për shkelje të të drejtave të njeriut. Një nga misionet kryesore të Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni është pikërisht mbrojtja e këtyre të drejtave.

Lindner, ish-zv.ministër i Brendshëm i Gjermanisë, mbrojti veten duke deklaruar se gjithçka ishte bërë në mënyrë të ligjshme, me qëllim ndikimin politik. Megjithatë, kjo argument nuk u pranua nga gjykata.

Sipas vendimit gjyqësor, në vitin 2014, Lindner kishte arritur një marrëveshje me deputeten konservatore gjermane Karin Strenz, që ajo të votonte pro Azerbajxhanit në PACE në këmbim të një pagese mujore prej rreth 7.500 eurosh.

Gjykata urdhëroi gjithashtu që trashëgimtari i Strenz, e cila ndërroi jetë në vitin 2021, të kthejë shumën prej 110.000 eurosh, totalin e parave që ajo kishte marrë nga Azerbajxhani për shërbimet e saj.

Gjatë gjyqit, që nisi në janar të këtij viti, katër persona dolën para drejtësisë. Dy prej tyre arritën të shmangin ndjekjen penale duke paguar një gjobë. I akuzuari i tretë, deputeti konservator Axel Fischer, që dyshohet se ishte rekrutuar nga Lindner, u sëmur dhe çështja e tij u shty për në vjeshtë.

Skandali është quajtur “Caviargate” pasi disa zyrtarëve dyshohet se iu ofruan ryshfete luksoze si havjar, tepihë dhe akomodime në hotele me pesë yje në Baku, në këmbim të votës së tyre kundër një raporti për të burgosurit politikë në Azerbajxhan, në janar të vitit 2013.

Related Posts