Gazeta zvicerane shkruan për mërgimtarët: Parada luksoze e makinave në një dasmë në Kosovë

Gazeta zvicerane Blick ka raportuar për një ngjarje të pazakontë dhe spektakolare që ka ndodhur në Kosovë: një dasmë luksoze e shoqëruar me një autokolonë të gjatë makinash sportive, shumica prej tyre me targa zvicerane.

“Flamuri shqiptar me shqiponjën e tij dykrenare shkëlqen i kuq në kapotat e tyre. Dhjetëra BMW, Ferrari dhe Lamborghini me fuqi të lartë parakalojnë nëpër një qytet në Kosovë”, shkruan Blick, duke përshkruar skenën që u filmua nga një ballkon dhe u publikua në rrjetin TikTok nga përdoruesi “leaard9”.

Në videon që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, automjetet luksoze lëvizin në kortezh nën tingujt e një kënge festive. “Ja si e merr nusen”, shkruhet në mbishkrimin e postimit. Blick raporton se vetë përdoruesi i TikTok-ut ka konfirmuar se bëhej fjalë për dasmën e kushëririt të tij.

“Në një parking përpara një vile të madhe, makinat kryesisht luksoze po filmohen nga afër. Disa njerëz i admirojnë makinat dhe kapin momentin e jashtëzakonshëm me telefonat e tyre celularë”, vijon përshkrimi i Blick.

Gazeta zvicerane thekson se autori i postimit shfaqet në rrjet si një tifoz i pasionuar i makinave, veçanërisht i markës BMW, të cilën e prezanton rregullisht në përmbajtjet e tij. “Sa më shumë kuaj fuqi, aq më mirë, duket të jetë motoja e tij”, shkruan Blick.

Komentet në rrjetet sociale janë kryesisht pozitive dhe përplot entuziazëm. “Nëse burri im dhe familja e tij nuk më marrin kështu, nuk e dua”, citohet një koment nga një përdoruese. Një tjetër shton: “Lamborghini, Ferrari dhe targa zvicerane! Kështu e bëjmë ne.”

Megjithatë, Blick thekson se nuk mungojnë as komentet kritike, që e shohin këtë shfaqje si ekzagjerim. Një koment ironik i cituar nga gazeta thotë: “Ata mund të pinë birrë zvicerane dhe të kërkojnë një nuse.”

Raporti i Blick e vendos këtë episod në një kontekst më të gjerë, duke kujtuar se kohët e fundit një shofer zviceran me targa Thurgau shkaktoi polemika në Kosovë, pasi u filmua duke bërë një manovër të rrezikshme parakalimi mbi trotuar./

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…