Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër pas sulmit publik të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi. Ky sulm erdhi disa orë pas një interviste të zhvilluar në emisionin “Info Plus” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku Pacolli u përball me pyetje në lidhje me çështje të interesit publik, përfshirë raportimet për përfitime të mundshme të familjarëve të saj nga buxheti i shtetit, shkruan KFVA.
Në reagimin zyrtar të saj, AGK ka thënë se:
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shokuar me sulmin e paprecedent, personal dhe shumë të rrezikshëm të deputetes së partisë politike, Vetëvendosje, Fitore Pacolli kundër gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi.”
AGK theksoi se gazetaren e Transmetuesit Publik, RTK, e ka shënjestruar deputetja menjëherë pas intervistës, duke e akuzuar për veprim me prapavijë dhe pyetje të orientuara politikisht.
“Deputetja Pacolli e ka shënjestruar gazetaren e Transmetuesit Publik, RTK disa orë pas një interviste të përbashkët në emisionin ‘Info Plus’, ku ajo u pyet për të gjitha zhvillimet aktuale, duke përfshirë raportimet për përfitimet e mundshme të familjarëve të saj nga buxheti i shtetit.
Pacolli ka shkruar se gazetarja ‘kishte misionin e porositur nga jashtë’ dhe se ‘pyetjet e saj ishin të dirigjuara’.”
AGK paralajmëron se kjo formë e linçimit publik është e rrezikshme për gjithë komunitetin mediatik dhe nxit precedentë të dëmshëm në raportin mes pushtetit dhe mediave.
“Kjo formë e linçimit të gazetares nga një deputete e zgjedhur është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet.”
Postimi i plotë:
AGK-ja dënon fuqishëm sulmet e deputetes Fitore Pacolli kundër gazetares Blerta Foniqi- Kabashi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shokuar me sulmin e paprecedent, personal dhe shumë të rrezikshëm të deputetes së partisë politike, Vetëvendosje, Fitore Pacolli kundër gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi.
Deputetja Pacolli e ka shënjestruar gazetaren e Transmetuesit Publik, RTK disa orë pas një interviste të përbashkët në emisionin “Info Plus”, ku ajo u pyet për të gjitha zhvillimet aktuale, duke përfshirë raportimet për përfitimet e mundshme të familjarëve të saj nga buxheti i shtetit.
Pacolli ka shkruar se gazetarja “kishte misionin e porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet e saj ishin të dirigjuara”.
Kjo formë e linçimit të gazetares nga një deputete e zgjedhur është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet.
AGK-ja e fton deputeten Pacolli dhe të gjithë zyrtarët e tjerë që të përmbahen nga deklaratat e komentet nxitëse kundër gazetarëve, dhe në vend të kësaj të ofrojnë transparencë, duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e interesit publik.