Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Pak orë para se të shterojë afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese e të fillojë zbatimi i masës së përkohshme, deputetët janë mbledhur në përpjekjen e 52’të për ta konstituar Kuvendin. Seanca nisi si zakonisht me vonesë, e përfundoi për pesë minuta. Edhe rezultati ishte i njëjtë, vetëm me një ndryshim që këtë herë dështimin e panë nga afër edhe ambasadorët e vendeve të huaja, të cilët morën pjesë në seancë. Ata shprehur shqetësim dhe zhgënjim. Mundësia e fundit për konstituim është nesër. Pas 26 korrikut, deputetët s’mund të mblidhen më deri më 8 gusht, sipas vendimit të fundit të Kushtetueses, shkruan KFVA.

Konstituimi i Kuvendit ka dështuar edhe në përpjekjen e 52’të. Seanca e sotme ishte parë si mundësia e fundit për konstituim para skadimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundim të këtij procesi, e në të morën pjesë edhe kori diplomatik.

Ambasadorët arritën në sallë para orës 11:00, kur edhe ishte caktuar të niste seanca, por që si zakonisht filloi me vonesë.

Pasi u ulën në vendin e caktuar për ta, kreu i PDK’së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK’së, Lumir Abdixhiku u ofruan që t’i përshëndesin e shkëmbyen llafe për disa minuta.

Për dallim prej tyre, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, as nuk i përshëndeti.

Sapo hyri në sallë, Kurti shkoi e u ulë tek vendi i tij dhe vazhdoi bisedat me bashkëpartiakët.

Në seancën e sotme morën pjesë 107 deputetë. Kryesuesi Avni Dehari sapo hapi punimet e seancës dhe konfirmoi kourumin, i ftoi PDK’në, LDK’në, AAK’në dhe Listën Serbe që të propozojnë anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Tek foltorja u paraqitën Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj. Që të trija patën përplasje me Kryesuesin Avni Dehari, i cili ua ndërpreu fjalën.

Ato i kanë kërkuar Dehari që të mos e keqpërdorë pozitën dhe t’i kthehet rendit të ditës, që nënkupton votim të hapur për propozimin për kryeparlamentare.

Përbërja e Komisionit u hodh pastaj në votim, teksa për ishin 54 deputetë, teksa vota kundër dhe abstenim nuk kishte.

Kryesuesi Dehari thirri seancë sërish për nesër, kur edhe përfundon afati kushtetues për konstituim, teksa e arsyetoi edhe me vendimin e fundit për masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve çdo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit në periudhën 27 korrik – 8 gusht.

“Seancën e radhës do ta mbajmë nesër, në orën 14:00”, shtoi Dehari.

Pas dështimit të 52’të, u deklaruan edhe ambasadorët që e përcollën seancën.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e cilësoi si fatkeqësi, teksa tha se morën pjesë në seancë për të theksuar shqetësimin e tyre dhe urgjencën për të formuar institucionet.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve”, tha Rohde.

Ai e quajti vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme si karton të kuq “sepse po e suspendon parlamentin për të marrë një vendim”.

Edhe Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh i zhgënjyer që deputetët nuk arritën sërish ta bëjnë konstituimin.

“Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë. Kosovës i duhet një qeveri e re, një qeveri e re që do ta ndërtojë urën e re – një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe Brukselit”, tha Orav pas përfundimit të seancës.

Sipas tij, ndërtimi i një bashkëpunimi të tillë do ta përshpejtonte procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Ne erdhëm këtu me shpresa të mëdha, por fatkeqësisht prapë nuk ndodhi asgjë”, tha Orav.

Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushteutese.

“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në përpjekjen e 52-të të deputetëve për konstituim të Kuvendit.

Përveç ambasadorëve, u deklaruan edhe liderët e partive politike.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili po negocion me partinë e parë për të formuar institucionet, tha pas seancës se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.

Limaj ka thënë se duhet pritur aktgjykimi i Kushtetueses për pasojat juridike të moskonstituimin e Kuvendit pas 26 korrikut.

Ai tha se Kurti nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë e re, dhe këtu qëndron e tërë çështja, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Vazhdimisht kam thënë shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Për mua s’ka qenë temë asnjëherë kryetari i Kuvendit, por mospasja e numrave për shumicën qeveritare. Gjërat kanë ngelur këtu ku janë sot. Po të ishin votat, shumica e zgjedhin Kuvendin, aty demonstrohet vota. Nisma i ka veç tri vota, janë të pamjaftueshme për të ndërtuar shumicë qeveritare. Do të ishte më mirë të fokusohemi në vendimin e Gjykatës. Mirë është që kur të vjen aktgjykimi edhe një herë të mobilizohemi. Nisma nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale, nuk konstriubon për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme”, tha Limaj.

Rreth ofertës që i kanë bërë Limajt, foli deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati.

Ai tha se si parti kanë ofruar edhe marrëveshje politike e edhe kompromise, por se tash i takon Nismës Socialdemokrate që të bëjë lëvizje përpara, duke votuar për konstituimin.

Murati tha se Nismës i kanë bërë ofertë për qeverisje “ashtu siç është kërkuar”

“Ne kemi ofruar edhe marrëveshje politike, edhe kompromiset e nevojshme, megjithatë u takon edhe palëve të tjera që të bëjnë lëvizje para, sepse ne si fitues kemi bërë lëvizjet e nevojshme. Kemi bërë ofertën, por Nisma në këtë rast do të duhej të votonte. Pra konstituimi i Kuvendit pikë së pari është obligim i të gjithë deputetëve. Ne për Nismën Socialdemokrate kemi pasur ofertë politike edhe për qeverisje, ashtu siç kërkohet ka qenë oferta”, tha Murati.

Pas seancës ka folur edhe kreu i PDK’së, Memli Krasniqi. Ai ka thënë se partia të cilën e drejton ai, nuk e ka kërkuar masën që e ka caktuar Gjykata Kushtetuese.

Por, Krasniqi tha se Kushtetuesja është në të drejtën e saj, dhe vendimet e saj duhet respektuar.

“Ne nuk e kemi kërku atë masë por është në të drejtën e tyre, besoj se ka një arsye që nuk mund ta paragjykoj. Do ta kuptojmë kur të publikohet vendimi finale. Dëshira jonë ka qenë që të ketë një aktgjykim final para skadimit të afatit, por shpresojmë që mund të publikohet edhe pas datë 8. Jemi në një situatë të absurdit që se ka paramenduar askush. Ka paqartësi për hapat e mëtejmë. Zgjedhjet duhej të ishin këto të 9 shkurtit që do të duhej të prodhonin institucione. Qytetarët më 9 shkurt kanë treguar se nuk e durojnë më sistemin monist që ka instaluar VV-ja, pra sistemin njëpartiak.

Më shumë ka qenë tendencë për sundim dhe qeverisje. Ndonjëherë nuk është e jashtëzakonshme që t’u kthehemi zgjedhjeve të reja, meqenëse kjo nuk ka ndodhë edhe pse do të ishte e mundimshme për shkak se i kemi edhe zgjedhjet lokale”, tha Krasniqi para mediave.

Ndryshe, Gjykatë Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve çdo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit në periudhën 27 korrik – 8 gusht.

Sipas saj, nëse nuk do të vendosej kjo masë, çdo vendim i ndërmarrë pas 26 korrikut e deri në vendimmarrjen e Gjykatës, lidhur me kërkesat që i janë parashtruar, “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues”./R

Related Posts