Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Gazeta amerikane dokumenton krizën brutale humanitare që përfshin fëmijët, mjekët dhe të gjithë shoqërinë në Rripin e Gazës. Edhe gazetarët e AFP-së në Gaza janë të rraskapitur. AFP njoftoi: “Që nga themelimi i AFP-së më 1944, nuk kemi parë kurrë gazetarë të vdesin nga uria.”

Pas katër muajsh bllokadë thuajse të plotë izraelite, në Rripin e Gazës po ndodh një katastrofë që sipas gazetës amerikane “Washington Post” po kalon në skenarin më të keq të mundshëm: uria masive ka përfshirë gjithë territorin, me foshnje që vdesin nga kequshqyerja, spitale të tejmbushura me fëmijë të uritur dhe mjekë që punojnë në kushte të rënda dhe mezi qëndrojnë në këmbë.

Sipas raportimeve të gazetës amerikane, në spitalin Nasser në Gazën jugore, foshnjat me bark të fryrë dhe trupa kockë e lëkurë qëndrojnë në dhoma të posaçme për kequshqyerje, ndërsa nënat e tyre heshtin nga rraskapitja. Ventilatorët e vjetër janë tingulli i vetëm në dhoma ku edhe zëri i fëmijëve është shuar.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se 10 persona kanë vdekur nga uria vetëm në 24 orët e fundit, duke e çuar në 111 numrin e vdekjeve nga uria që nga fillimi i luftës, ndër ta foshnja 6-javëshe Yousef al-Safadi. Në fotot e publikuara, trupi i tij ishte aq i vogël sa këmisha e bardhë që kishte veshur i rrëshqiste mbi brinjët e zbuluar.

“Trupat e tyre të vegjël po kopalsojnë – nuk marrin frymë, imuniteti u është shembur,” thotë Scott Lea, drejtues i përkohshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit për territoret palestineze, duke iu referuar fëmijëve të uritur.

Agjencitë e ndihmës, përfshirë OKB-në, kanë paralajmëruar prej kohësh për një krizë të tillë, që u përkeqësua pasi Izraeli ndaloi ndihmat ndërkombëtare dhe i zëvendësoi me shpërndarje brenda zonave ushtarake. Synimi, sipas autoriteteve izraelite, ishte të ushtrohej presion ndaj Hamasit, i cili më 7 tetor 2023 kreu një sulm të përgjakshëm në territorin izraelit dhe mban ende rreth 50 pengje.

Por në terren, pasojat janë katastrofike. Sipas OKB-së, rreth një në tre banorë të Gazës kalon ditë të tëra pa ushqim, ndërsa të dhënat nga spitalet tregojnë për një rritje të vdekjeve nga kequshqyerja dhe uria. UNICEF deklaron se këto vdekje janë të shmangshme, por sistemi shëndetësor i Gazës është në kolaps.

Në mënyrë tronditëse, edhe mjekët janë prekur rëndë. Në një intervistë për gazetën, drejtori i pediatrisë në Spitalin Nasser, Ahmed al-Faraa, tha se stafi ushqehet me supë thjerrëzash, ndërsa kolegu i tij në Deir al-Balah, Eyad Amawi, duhej të ndërpriste intervistën për shkak të marramendjes. Ai kishte humbur 7 kilogramë që nga fillimi i luftës.

Sipas “Washington Post”, nga më shumë se 59’000 të vrarë në Gaza sipas autoriteteve lokale, shumë janë civilë, përfshirë fëmijët dhe gratë. Izraeli ka lejuar ndonjëherë hyrjen e ndihmave, veçanërisht gjatë një armëpushimi gjashtë-javor, por më 2 mars bllokada u rikthye. Vetëm në maj u lehtësua pjesërisht pas kritikave ndërkombëtare dhe frikës së kryeministrit Benjamin Netanjahu se imazhet e urisë masive mund të dëmtonin marrëdhëniet me SHBA-në.

Edhe pse Izraeli pretendon se kalimet kufitare janë të hapura, sipas OKB-së, vendimet për lëvizjen e ndihmave varen plotësisht nga autoritetet izraelite, që kontrollojnë sasinë, përbërjen dhe përfituesit. Koordinimi në terren përballet me pengesa të shumta: rrugë të dëmtuara, luftime të vazhdueshme dhe pengesa nga banda të armatosura.

Kapaciteti i Gazës për prodhim të brendshëm është shkatërruar: fermat, fabrikat dhe magazinat janë rrafshuar. Civili i zakonshëm është krejtësisht i varur nga ndihmat, të cilat shpesh janë të paarritshme. Sipas të dhënave lokale, më shumë se 1000 njerëz janë vrarë nga të shtënat ndërsa vraponin drejt pikave të shpërndarjes së ushqimit, që ndodhen nën kontroll të kontraktorëve amerikanë të sigurisë dhe ku furnizimi bëhet sipas parimit “kush arrin i pari, merr”.

Në këtë realitet të egër, nënat nuk ushqehen për ditë të tëra që të mund t’u japin diçka fëmijëve. Në lagjen al-Sabra të Gazës, Ayat al-Soradi tregoi për “Washington Post” se binjakët e saj lindën dy muaj para kohe për shkak të kequshqyerjes. Njëri vdiq vetëm 13 ditë pas lindjes, ndërsa tjetri ndodhet sërish në spital në gjendje kritike.

Një tjetër rast prekës është ai i foshnjës Sham Emkat, vetëm dy muajshe, e cila vdiq nga uria në Spitalin Rantisi. Pesha e saj kur vdiq ishte më pak se 2 kilogramë.

Në një letër të hapur të publikuar të mërkurën, “Washington Post” citon 115 organizata humanitare – mes tyre Mjekët pa Kufij, Mercy Corps dhe Save the Children – që deklarojnë se bllokada dhe ofensiva izraelite po shtyjnë mbi 2 milionë njerëz drejt urisë së plotë, përfshirë punonjësit e tyre.

Edhe gazetarët e AFP-së në Gaza janë të rraskapitur. “Jetët e kolegëve tanë varen në një fije. Ata nuk kanë më forcë as të ecin për të raportuar,” thuhet në një deklaratë dramatike të kësaj agjencie, që thekson: “Që nga themelimi i AFP-së më 1944, nuk kemi parë kurrë gazetarë të vdesin nga uria.”

Ky është realiteti që “Washington Post” sjell për lexuesit: një krizë humanitare e shkaktuar nga një bllokadë e qëllimshme, që po shkatërron Gazën – jo vetëm si territor, por si shoqëri njerëzore. Dhe për çdo ditë që heshtja mbizotëron, bilanci tragjik rritet.

Related Posts