• Tue. Oct 14th, 2025

Kërkesa e Osmanit mund të shkojë huq, “Marrja e mandatit ose zgjedhje të jashtëzakonshme” – Çfarë pas datës 26 korrik?

Bykfvanews

Jul 23, 2025

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit – afat ky që ka filluar të llogaritet nga 26 qershori, data kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin.

Ajo tha se shpreson që Gjykata ta prioritizojë këtë çështje dhe të vendosë sa më shpejt.

“Unë nuk e di sa kohë mund t’i marrë Gjykatës për të vendosur për të gjitha meritat e kësaj kërkese, por duke pasur parasysh se si po rrezikohet rendi kushtetues i vendit tonë mbes me shpresë që Gjykata do ta prioritizojë këtë temë dhe do të vendosë sa më shpejt që të jetë e mundur duke pasur parasysh rrethanat”.

Por kjo kërkesë e saj, sipas praktikave të kushtetueses, s’ka gjasa të merret parasysh.

Ish gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu në një prononcim për Periskopin tha se Kushtetutesja nuk ngutet për shkak të disa procedurave.

Madje, sipas tij mund ta vonojë përgjigjen deri në 60 ditë.

“Unë kam thënë edhe më herët, që Presidentja me bë një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për me ia sqaru vendimin e gjykatës, se cka nënkupton, se cka mund të bëjë presidentja mas 30 dite. Unë I kam preferuar më bë në momentin kur është shpall aktgykimi kur është bërë publik. Ajo është vonu në këtë kërkesë shumë se Gjykata Kushtetuese nuk i mer situatat ashtu shpejt se janë do procedura që nuk munden me dhënë përgjigje shpejt e shpejt. Por Gjykata Kushtetuese për kërkesën që na e quajmë ka maksimumi 60 ditë, dy muaj ditë. Mundet brenda 60 ditëve. Por nuk shkon aq shpejt se janë do procedura burokratike që duhet edhe në gjuhë të tjera, kërkesa e palëve, vendimi i tyre, kështu që janë disa procedura teknike burokratike që nuk e lejojnë absolutisht gjykatën me dhënë një përgjigje të tillë”, ka deklaruar ai .

Çfarë pritet të ndodhë pas datës 26 korrik, 30 ditë pas vendimit të kushtetueses?

Pavarësisht kërkesës së lideres së shtetit për pezullim të këtij vendimi, kushtetuesja pritet të dal me një përgjigje nëse nuk konstituohen institucionet.

Me moszbatim të vendimit të kushtetueses, Kadri Kryeziu në një prononcim ka thënë se mund të rezultojë me marrjen e mandateve, dhe tjetra me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“E qikjo përgjigja është se cka duhet vepruar mas 30 dite, mund të jipet shumë shpejt edhe kjo është vonu. Afatet që i ka dhënë kushtetuesja janë ligjore, kjo është urdhër ligjor që duhet me u zbatu dhe nëse nuk zbatohet ligji atëherë ka masa. Masa e parë është që është e lehtë, është marrja e mandateve, domethënë masë administrative, kushtetuese, masa e dytë ekskulizivisht shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për 40 ditë, 10 ditë ka fushate dhe kështu me radhë”, u shpreh Kryeziu.

Çfarë thuhet në aktgjykim e Kushtetueses?

Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se mandati i deputetit dhe ai i Kuvendit është i ndërlidhur dhe përfaqësimi i popullit nga deputetët nuk mund të jetësohet pa konstituimin e Kuvendit.

Për konstituimin e Kuvendit, në aktgjykim u tha se të gjithë deputetët duhet të votojnë.

“Zgjedhja e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës”, u tha në vendim.

Pavarësisht dhjetëra përpjekjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *