Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e Gazetës Online Reporteri.net për arrestimin e Arben Bakallit, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës.
Bashkë me të janë arrestuar edhe tre zyrtarë komunal të Gjakovës: Afërdita Lama, ish-drejtoreshë e Kadastrës në Gjakovë dhe Elida Bejtullahu, ish-ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Gjakovë, e cila edhe më parë ishte akuzuar për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Arianit Kupa, zyrtar.
Ata janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Lajmin e ka konfirmuar Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës, konkretisht hetues kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjakovë.”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, katër personat e dyshuar janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
Hoxha tha se hetimet po vazhdojnë në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.