Në një intervistë ekskluzive për Kosovo Free Voice Agency, flet Agim Rexhepi, ish-zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës dhe ekspert i sigurisë që ka shërbyer për më shumë se një dekadë në disa nga zonat më të rrezikshme të vendit – përfshirë edhe veriun e Mitrovicës, në kohën kur tensionet ishin të përditshme, kur flamuri i Kosovës shkelej hapur dhe strukturat kriminale të dirigjuara nga Serbia kontrollonin gjithçka.
Me një karrierë që fillon nga edukimi, vazhdon në hetime dhe përfundon në përballje të drejtpërdrejta me bandat kriminale në veri, Rexhepi flet pa dorashka për gjithçka që ka parë dhe përjetuar. Ai rrëfen se ka punuar me rroba civile, shpesh pa mbrojtje institucionale, dhe se në raste të caktuara ka mbetur vetëm në mes të rrezikut, ndërsa kolegët serbë qëndronin si spektatorë.
Më poshtë, intervista e plotë.
“Nuk më është trembur syri – isha i pastër si loti”
Rexhepi, si e nisët rrugën në Policinë e Kosovës dhe çfarë ju motivoi?
Unë jam inxhinier i diplomuar i Teknologjisë. Para luftës punova si profesor, pas saj në KEK, në sektorin e Tertiarëve. Kur në vitin 2003 u privatizua ky sektor, mbeta tetë muaj pa paga. Ishte momenti që vendosa të kontribuoj për ndërtimin e shtetit dhe u bashkova me Policinë e Kosovës më 14 qershor 2004.
Pasi përfundova Akademinë Policore, fillova në Prizren si polic patrulle, më pas u transferova në Mitrovicë në Njësinë Rajonale për Hetimin e Automjeteve. Kam kryer edhe studimet pasuniversitare në Sarajevë, duke u specializuar në Kriminalistikë dhe Siguri, ndërsa më 2010 u bashkova me Hetimet e Krimeve Ekonomike.
Shërbimi në veri: ku bandat kontrollonin gjithçka
Kur nisët të shërbeni në pjesën veriore të Mitrovicës?
Në prill të vitit 2016 u caktova në Njësinë e Krimeve Ekonomike në veri. Ishte periudha më delikate për sigurinë e vendit dhe kam pasur një karrierë të mbushur me sfida atje.
A e kuptuat që në fillim se po hynit në një zonë të veçantë?
Po. Që në ditët e para ishte e qartë se po punonim në një territor të pambrojtur, ku vepronin lirshëm strukturat e Serbisë, shpesh edhe të veshur me uniformën e Policisë së Kosovës.
“Kur kërkova ndihmë, kolegët serbë veç më shikonin”
Cili ka qenë momenti më i rrezikshëm gjatë shërbimit?
Raste të rrezikshme ka pasur shumë, por sulmi në lagjen e Bërnjakëve më ka lënë shenjë. Kur u sulmova me gurë dhe hekur, kërkova ndihmë nga njësia speciale – shumica prej tyre ishin serbë. Ata nuk reaguan fare. Më lanë vetëm. U detyrova të përballem vetë fizikisht dhe gjatë përplasjes më është thyer krahu.
Ishit gjithmonë në rroba civile, por si ishte të shërbeje si shqiptar në atë ambient?
Ishte më shumë se sfidë. Rreziku ishte i përhershëm. Por unë nuk jam trembur asnjëherë. Kam punuar me ndërgjegje të pastër dhe asnjëherë nuk kam bashkëpunuar me strukturat kriminale. Profesionalizmi dhe guximi kanë qenë arma ime.
“Serbët nuk guxonin të ankoheshin pa lejen e komandantit”
Si reagonin qytetarët serbë ndaj jush? Kishte ndonjë bashkëpunim?
Ata kishin frikë. Shumë raste nuk guxonin të hynin në stacion për të bërë ankesa. Ndaleshin në oborr dhe lajmëroheshin tek komandanti serb, Gjuriq, i cili vendoste nëse do lejoheshin të hynin apo jo. Ne, shqiptarët, nuk i dinim fare këto raste – sepse u ndaloheshin që në derë.
“Kur hyra në bastisje dhe pashë britmën e një nëne – ajo ulërimë më ka mbetur në shpirt”
Cili ka qenë momenti më emocional që nuk do ta harroni kurrë?
Në një bastisje në veri, kishim informacion për një të dyshuar të armatosur. Kur hymë në shtëpi, aty ishte një nënë e re me dy fëmijë të vegjël. Kur ata na panë, lëshuan një britmë që nuk më largohet kurrë nga kujtesa. Ishte zemërthyese.
“Veriu sot është ndryshe – por krimi ende frymon nga frika”
Si e shihni veriun sot? A ka ndryshuar diçka realisht?
Po. Ndryshimi është si nata pa hënë me një ditë pranverore të kthjellët. Derisa ka ardhur Albin Kurti në pushtet, veriu ka qenë më shumë Serbi sesa vetë territori serb. Sot gjërat kanë ndryshuar, por serbët ende kanë frikë nga strukturat që dikur i mbanin në terror. Të gjithë duhej të dilnin në rrugë kur binte sirena – përndryshe rrezikonin jetën.
“Po të isha edhe sot në detyrë – do të kthehesha pa menduar në veri”
A besoni se Policia e Kosovës do ta kontrollojë veriun pa kompromis me strukturat ilegale?
Po, besoj. Policia jonë po përkujdeset për gjithë qytetarët, pa dallim. Kriminelë ka kudo – por shteti duhet të jetë më i fortë se krimi. Dhe më i drejtë.
Nëse do të ishit sërish në shërbim, do të ktheheshit në veri?
Pa asnjë hezitim. Është borxhi im ndaj Atdheut dhe amaneti i atyre që kanë rënë për këtë tokë.
Çfarë mesazhi keni për policët e rinj që sot vendosen në veri?
Unë kam qenë edhe instruktor në Akademinë Policore. U them të jenë profesionalë, të duan ligjin dhe Kosovën, të jenë syçelë e të ruajnë dinjitetin. Veriu nuk është për frikacakë – është për ata që shërbejnë me shpirt, jo me orar.

Foto Agim Rexhepi
Rrëfimi i Agim Rexhepit, zyrtarit të karrierës që kaloi vitet më të rrezikshme në shërbim të sigurisë në veri të Mitrovicës, nuk është thjesht dëshmi personale, është pasqyrë e një realiteti të heshtur, që shpesh fshihet pas deklaratave politike dhe raporteve zyrtare. Ai flet pa ekuivok për frikën, mungesën e përkrahjes institucionale, dhe vendosmërinë për të mbrojtur rendin në një territor të kontestuar dhe shpesh të braktisur.
Në një kohë kur siguria në veri vazhdon të jetë një temë kritike për shtetin dhe qytetarët, zëri i atyre që ishin në vijën e parë të përballjes si Agimi është i domosdoshëm për të kuptuar të vërtetën në terren.
Kosovo Free Voice Agency do të vazhdojë të sjellë rrëfime të tilla të paanshme, të thella dhe të guximshme që ndriçojnë të pathënat e një kohe që s’mund të harrohet, e aq më pak të injorohet.
