by kfvanews
Share
by kfvanews
Share

Universiteti i Prishtinës ka vendosur të krijojë një komision të pavarur për të hetuar nëse ka pasur gabime në provimin pranues të Fakultetit të Mjekësisë që u mbajt më 12.07.2025.
Hetimi nga ky komision vjen pasi disa kandidatë për studentë të Mjekësisë thanë se janë ankuar edhe në Rektorat të UP-së se pati gabime teknike në pyetjet e provimit pranues.
Tre kandidatë të intervistuar deklarojnë gabimet teknike në provimin pranues ku janë testuar, ndërsa janë ankuar në Komisionin e Ankesave të Fakultetit të Mjekësisë dhe thonë se ankesat e tyre janë vlerësuar të pabazuara.
Provimi pranues i Fakultetit të Mjekësisë ka nga 25 pyetje në lëndët Kimi dhe Biologji, ndërsa këtë vit kanë qenë pesë drejtime të studimit: Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Farmaci, Infermieri dhe Fizioterapi.
Sipas listës përfundimtare të rezultateve, Ermira Bytyqi në provimin pranues në Stomatologji ka marrë 72.58 pikë, ndërsa, nuk është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë për 0.78 pikë.
“Për dy vite radhazi kam shku në kurse, jam përgatit intensivisht, madje dy-tre muajt e fundit edhe jam izolu për m’i mësu gjitha këto çka munden me m’ra në provim pranues, por në provim pranues kemi hasë diçka që jo që s’e kemi mësu, po as që nuk e gjejmë në libra.” – tha Bytyqi.
Bytyqi ka treguar se në pyetjen e katërt të testit të Kimisë në Stomatologji, ku është dhënë një reaksion kimik dhe më pas është kërkuar entalpia standarde e formimit të komponimit – kloruri i hekurit, nuk përputhet me ato që kanë mësuar rreth kësaj detyre.
“Ne në librat tonë dhe nëpër kurset që i kemi ndjekë për m’u përgatit, e kemi mësu që koeficientat te një reaksion nuk vlejnë për entalpinë molare të formimit… Ne masnej, e kemi paraqit një ankesë për këtë pyetje se nuk na u ka përshtatë kërkund, as me studimet shkencore që janë, as me librat tona” – ka treguar Bytyqi.
Kandidatja për Stomatologji pretendoi po ashtu se Komisioni i Ankesave i Fakultetit të Mjekësisë dhe Komisioni i lëndës së Kimisë janë sjellur shumë keq me ankuesit kur janë paraqitur në këtë Fakultet për ankesën e tyre.
“Ata na kanë sulmu edhe verbalisht, anëtarët e Komisionit edhe ata që na kanë dhënë shpjegime për këto pyetje. Na kanë nxjerr jashtë, deshtëm e s’deshtëm, nuk na kanë dhënë shpjegime për ato që ne i kemi kërku. Nuk kanë pranu me fol me neve hiç.” – ka shtuar Bytyqi.
“Dy vite pauzë janë shumë të mëdha. Nuk e di, duhet me pa për mundësi tjera jashtë atdheut sepse atdheu s’po na ofron diçka cilësore.” – ka potencuar Bytyqi.
Pirro Zejnullahu në provimin pranues për Mjekësi të Përgjithshme ka 78.14 pikë dhe nuk është pranuar për 1.6 pikë.
Zejnullahu ka identifikuar dy gabime teknike, një në testin e Kimisë dhe një në atë të Biologjisë të provimit pranues në Mjekësi të Përgjithshme.
Sipas Zejnullahut, në pyetjen e gjashtë të testit të Kimisë ku është kërkuar se “sa është pH (vlera e përqendrimit të joneve të hidrogjenit) e tretësirës e cila në 500 cm³ përmban 3.10¹⁸ jone hidroksile”, është gabuar shenja pas numrit 3.
“Me këtë numër të dhënë, asnjëra nga opsionet nuk është e saktë. Kur kemi qenë për ankesa, kanë thënë se vet ata kanë thënë që është gabim teknik edhe ju është dasht me mendu që është here [shumëzim]. Ne nuk mundemi me mendu se nëse kjo është shkencë ekzakte kimia, d.m.th ashtu siç shkruhet, ashtu duhet me marrë.” – ka thënë Zejnullahu.
Zejnullahu ka përmendur po ashtu se për këtë pyetje e kishte lajmëruar mbikëqyrësen gjatë testimit, por i është përgjigjur sipas tij se “nuk e din” nëse është shënuar gabim.
Ai ka kontestuar çelësin apo përgjigjen e saktë të pyetjes 25 të testit të Biologjisë në të cilën është kërkuar konstatimi për lizozomet (organele).
“Sipas çelësit përgjigjja e saktë ka qenë opsioni nën a, kurse unë e kam rreth nën c, ashtu siç e kam mësuar” – tha ai.
Për këtë pyetje, Komisioni i lëndës së Biologjisë ka dhënë përgjigje për të cilën kanë kërkuar që të publikohet e plotë. Përgjigjen e plotë të tyre e gjeni në fund të lajmit.
Komisioni për përpilimin e pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë nga lënda e Biologjisë është përbërë nga: Kemajl Bislimi, Elez Krasniqi dhe Mentor Sopjani.
Mirëpo, në bazë të përgjigjes së tyre, për pyetjen e kontestuar nga Zejnullahu, e kanë marrë si përgjigje të saktë atë që shkruan në librat e Biologjisë të klasës së 10, me vit të botimit 2005, 2012 dhe 2014, me të cilat thonë se mësohet në shkolla të mesme.
Ky Komision ka treguar se kanë pasur gjithsej 10 ankesa dhe janë sjell me korrektësi dhe respekt ndaj secilit ankues.
Eronita Qamili gjithashtu në Mjekësi të Përgjithshme ka arritur 79.08 pikë, por nuk është pranuar në Fakultet për 0.66 pikë.
Nga Qamili është ripërsëritur pretendimi se Komisioni i lëndës së Kimisë ka pasur sjellje arrogante.
“Ata janë sjell jashtëzakonisht keq, që p.sh jo logaritmat duhet t’i dini, kjo është gjëja më elementare. Nuk mund të niseni pa matematikë…” – tha Qamili.
Qamili ka identifikuar pyetjen 25 në grupin B të testit të Kimisë për Mjekësi të Përgjithshme, në të cilën pretendon se asnjëri opsion për konfiguracionin elektronik për Astatin (element kimik) nuk ka qenë i saktë, pasi është shënuar orbitalja d¹⁴.
Ajo është bazuar në librin e kimisë për të konstatuar se në orbitalen d nuk mund të jenë 14 elektrone, por në orbitalen f.
“Unë prap se prap kam me vazhdu Mjekësi, po kërkoj që me pas drejtësi dhe transparencë që testi të rishqyrohet edhe njëherë” – ka theksuar Qamili.
Në lidhje me pretendimet e kandidatëve, KALLXO.com i ka pyetur nga data 17.07.2025, por Komisioni i Kimisë dhe ai i Ankesave nuk kanë dhënë përgjigje deri në publikimin e lajmit.
Komisioni për përpilimin e pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë nga lënda e Kimisë është përbërë nga: Arben Haziri, Makfire Sadiku dhe Hamit Ismaili.
Kurse, Komisioni i Ankesave i Fakultetit të Mjekësisë përbëhet nga: Vlora Ismaili-Jaha, Premtim Rashiti dhe Xhevdet Krasniqi.
Më 11.07.2025, KALLXO.com e ka monitoruar karantimin e profesorëve që zgjati 18 orë për përgatitjen e provimit pranues. Gjatë këtij izolimi, ata kanë pasur kohë për t’i kontrolluar provimet nëse kanë gabime teknike.
Përgjigjet e plota të Komisionit të Biologjisë:
Në të tria tekstet e biologjisë së klasës 10 (botimi 2005, 2012 dhe 2014 (bashkangjitura faqet përkatëse të librave)), duke mos u thelluar në detaje, shkruan se lizozomet janë organele të qelizave shtazore dhe bimore të mbështjella me membrane njështresore. Kjo është marr si përgjigje e saktë në test.
Sipas literaturës moderne universitare (si: Alberts, Lodish, Campbell, etj.), theksohet e më pas sqarohet në detaje se lizozomet tipike janë të pranishme në qelizat shtazore, ndërsa në qelizat bimore nuk ka lizozomet tipike si te qelizat shtazore, por vezikula (qelizat meristematike) ose vakuola lizuese (qelizat e diferencuara bimore) me shumë funksione të ngjashme me lizozomet shtazore. Librat e këtillë janë libra universitar me shumë detaje, përtej njohurive të parapara për nxënësit e shkollave të mesme, të cilët nxënës as nuk mësojnë nga këto libra universitar dhe as në atë nivel. Këto libra universitar janë botime ndërkombëtare në gjuhën angleze.
Madje është edhe temë debati ndërmjet shkencëtarëve botanist (shumë përtej nivelit të nxënësve të shkollave të mesme), nëse këto struktura të qelizat bimore t’i quajnë lizozome apo jo (!) (p.sh: shiko figurën e qelizës bimore nga Enciklopedia Britannica (https://www.britannica.com/science/plant-cell) ku prezantohen lizozomet brenda qelizës bimore). Qelizat bimore, për nevoja të aktivitetit të tyre jetësor, duhet të kryejnë shumë procese qelizore, përfshirë autofaginë.
Fundja, do të ishte e padrejtë për nxënësit (dhe përtej kompetencave të komisionit) që pyetjet e testit pranues të bëheshin bazuar në literaturës moderne universitare (si: Alberts, Lodish, Campbell, etj.), nga e cila nxënësit nuk mësojnë, e jo nga tekstet e biologjisë së shkollave të mesme nga të cilat nxënësit kanë mësuar.
Nga përvoja jonë si komision, jemi të sigurt se as ankuesit ndaj pyetjes A25, nuk kanë mësuar në shkollën e mesme nga librat modern universitar, por provojnë t’i përdorin si alibi për dështimet e tyre. Fundja, nga rreth 1800 aplikantë, vetëm rreth 10 prej tyre kanë pasur ankesa, dhe atë të pabazuara, në këtë ose në ndonjë pyetje tjetër nga biologjia.
Shpresojmë, kjo përgjigje është e mjaftueshme për të dhënë sqarimin e duhur. Si dëshmi dokumentimi keni edhe disa faqe përkatëse të librave biologjisë së klasës 10 (botimi 2005, 2012 dhe 2014) bashkangjitur.
2. Komisioni që është marr me ankesat nga Biologjia ka qenë i përbërë nga tre profesorë universitar. Ky komision ka punuar mbi bazën e kompetencave dhe përgjegjësisë së tij. Komisioni i lëndës së biologjisë gjithnjë është sjellur me korrektësi dhe respekt ndaj secilit prej rreth 10 ankuesve. Shumica e studentëve ankues po ashtu kanë pasur qasje të duhur, përjashtuar ndonjërin që me çdo kusht insiston pavarësisht sqarimeve dhe dokumentimeve (librave të prezantuar) të dhëna nga komisioni. Të tillë student madje para komisionit janë prezantuar edhe duke qarë dhe me një sjellje jo shumë edukative dhe respektuese. /
Një aeroplan që fluturonte nga Omaha për në Detroit u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një pasagjer shqiptar u përpoq të hapte njërën nga dyert. Fluturimi 3612 i Delta Connection, i operuar nga SkyWest Airlines, u detyrua të devijonte në Aeroportin Lindor të Ajovës në Cedar Rapids, Ajova, sipas CNN. Mario
Koreja e Veriut ka njoftuar se resorti i saj i ri bregdetar në qytetin Wonsan nuk do të lejojë përkohësisht turistë të huaj, ndonëse ai ishte promovuar gjerësisht si një destinacion ndërkombëtar. Zona Turistike Bregdetare Wonsan Kalma, e hapur më 1 korrik, është një nga projektet kryesore të udhëheqësit Kim Jong Un për
Në Shqipëri – por jo vetëm – një fjalë, fotografi a mesazh nga Uashingtoni dhe përfaqësues të tij, është parë gjithmonë si konfirmim apo rrëzim i fateve të shumë personazheve lokale, politikave apo reformave të ndryshme. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dëshirojnë ta mbajnë më një rol të tillë, të paktën
Barcelona ka zyrtarizuar më 16 korrik lajmin që shumë tifozë e kishin pritur me padurim: Lamine Yamal është numri 10 i ri i klubit. Me këtë vendim, Barça i beson një prej talenteve më të mëdhenj të gjeneratës së re fanellën më të rëndë dhe më ikonike në historinë e klubit. Sensacioni 18-vjeçar