Prokuroria Speciale ka dalë me komunikatë lidhur me aksionin kundër spiunazhit që ka zhvilluar sot në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, ku u arrestuar togeri policor Bojan Jevtiq.
Në shtëpinë e të njëjtit në një fshat të Kamenicës, Prokuroria ka thënë se janë sekuestruar dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore, shkruan KFVA.
I njëjti është ndaluar për 48 orë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Jevtic është arrestuar nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë, shkruan Reporteri.net.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka lavdëruar institucionet e sigurisë për këtë aksion./KFVA/
