Hapet “Kutia e Pandorës” të Kartelit të Sinaloas? Dëshmia e djalit të El Chapos mund të tronditë qeverinë meksikane

 

 

Ovidio Guzmán López, djali i narkotrafikantit famëkeq Joaquín “El Chapo” Guzmán, ka pranuar fajësinë për akuza të shumta për trafik droge dhe drejtim të një organizate kriminale. Më shumë se një akt pendese, ky bashkëpunim me autoritetet amerikane mund të hapë “kutinë e Pandorës” dhe të zbulojë lidhjet mes Kartelit të Sinaloas dhe zyrtarëve të korruptuar meksikanë, shkruan KFVA.

Guzmán López, i njohur si një nga drejtuesit kryesorë të fraksionit “Los Chapitos” të Kartelit të Sinaloas, doli para një gjykate federale në Çikago, ku pranoi fajësinë për katër akuza kryesore. Sipas aktakuzës, ai dhe tre vëllezërit e tij morën drejtimin e kartelit pas arrestimit dhe ekstradimit të El Chapos në vitin 2019. Karteli, që konsiderohet si një ndër organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë, ka fituar qindra miliona dollarë nga prodhimi dhe shpërndarja e fentanilit në SHBA.

Pas seancës gjyqësore, avokati i tij i njohur, Jeffrey Lichtman, sulmoi ashpër qeverinë meksikane, duke e akuzuar për bashkëpunim ose mosveprim ndaj krimeve të kartelit për më shumë se katër dekada. Ai kritikoi faktin që Ismael “El Mayo” Zambada, bashkëthemelues i Kartelit të Sinaloas, nuk ishte arrestuar asnjëherë, deri sa një nga djemtë e El Chapos thuhet se e bindi të dorëzohej në kufirin me SHBA.

Hapet “Kutia e Pandorës” të Kartelit të Sinaloas?

El Chapo dhe Ismael Zambada, dy themeluesit e Kartelit të Sinaloas.

Presidentja e re e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi duke paditur për shpifje avokatin Lichtman, duke deklaruar: “Nuk do të zhvilloj një dialog me avokatin e një trafikanti droge”. Por Lufta e fjalëve nuk ndaloi këtu. Në një postim në rrjetin X, Lichtman tha se Sheinbaum sillet më shumë si “zyra e marrëdhënieve me publikun e një organizate kriminale sesa si një lidere e ndershme”.

Megjithatë, ish-zyrtari i lartë i DEA-s amerikane, Ray Donovan, e sheh situatën ndryshe. Ai e përshkroi bashkëpunimin e Ovidio Guzmánit si një mundësi historike për Meksikën që të rindërtojë institucionet e saj dhe të përballet me korrupsionin e rrënjosur në sistem. Sipas tij, Sheinbaum ka kapacitetin dhe integritetin për ta udhëhequr këtë reformim dhe për ta forcuar partneritetin me SHBA.

Një element kyç në këtë histori është edhe fakti që vendimi i Ovidios për të bashkëpunuar erdhi vetëm pak muaj pasi 17 anëtarë të familjes së tij, përfshirë nënën, motrën, gruan dhe fëmijët, kaluan kufirin në SHBA nën mbrojtjen e autoriteteve federale. Sipas Donovanit, këto lëvizje strategjike nga “Los Chapitos” u dhanë atyre një mundësi për të negociuar dhe mbijetuar politikisht e ekonomikisht në kontekstin e ri.

Ndërsa e ardhmja e kartelit mbetet e paqartë, një gjë është e sigurt: dëshmia e Ovidio Guzmán mund të zbulojë emra të mëdhenj dhe të vendosë në shënjestër politikanë e zyrtarë të lartë në Meksikë. Nëse Claudia Sheinbaum do të arrijë ta kthejë këtë krizë në një moment historik të reformës, mbetet për t’u parë. Por beteja mes ligjit, korrupsionit dhe fuqisë së kartelit sapo ka hyrë në një fazë të re dhe të rrezikshme. (

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…