Categories: Kosovë

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë

by kfvanews

Share

 

 

Planet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicën e ndarë i ka hedhur poshtë Gjykata Supreme me një vendim të marrur gjatë ditës së sotme.

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, Qeveria në dorëheqje nuk ka kompetencë ligjore për të miratuar akte nënligjore dhe vendime me ndikim të drejtpërdrejtë ligjor, duke i konsideruar të gjitha vendimet e kësaj Qeverie si antikushtetuese dhe pa fuqi ligjore.

Qeveria në detyrë e Kurtit synonte të ndërtonte dy ura të reja në qytetin e Mitrovicës, që ndahet në pjesën veriore dhe atë jugore prej lumit Ibër. Njoftimi për ndërtimin e dy urave të reja në të dy anët e urës kryesore mbi lumin Ibër, nxiti reagimin e Bashkimit Evropian dhe të partisë politike më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe. Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është planifikuar në bazë të një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së qeverisë së Kosovës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, njoftoi ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës kishte miratuar para 6 ditësh edhe ndarjen e 2 milionë eurove për mbështetje në punësim të qytetarëve nga komunitetet joshumicë, por edhe ky vendim është shfuqizuar nga Gjykata Supreme.

Tjetër vendim që do të shfuqizohet është edhe rritja e shtesave për nënat lehona. Qeveria në detyrë e Kosovës muajin e kaluar kishte marrë vendim për rritjen e shtesave për nënat lehona në Kosovë. Sipas Vendimit shtesat për nënat lehona do të rriten nga 170 euro në 325.9 euro.

“Meqë tash e kemi pagën minimale të re është koha që kjo të reflektohet edhe për shtesa për gratë lehona. Sot do të miratojmë rritjen e vlerës mujore të shtesave, nga 170 euro në 325.9 euro, aq sa është vlera neto e pagës minimale të re. Pra, për të gjitha nënat lehona nga ky muaj shtesa mujore do të rritet në 325.9 euro. E, kjo përbën një rritje prej 91.7%, apo gati dyfishim të shtesave.” – kishte thënë kryeministri në largim Albin Kurti.

Kujtojmë se Gjykata Supreme gjatë ditës së sotme ka shfuqizuar edhe Udhëzimin Administrativ të ministrit  të Financave, në detyrë Hekuran Murati, për arkat fiskale elektronike.

Vendimi i Supremes thotë se përderisa akti është nxjerr nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore, si dhe është në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve.

“Prandaj, përderisa akti i kontestuar është nxjerrë nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore, si dhe është në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, Gjykata vlerëson se akti i kontestuar duhet të shfuqizohet si i kundërligjshëm dhe në shkelje të dispozitave kushtetuese”, thuhet në vendim.

Related Posts