by kfvanews
Share
by kfvanews
Share

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Vjollca Shala, ka ngritur shqetësimin për largimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe nxënësve nga shkollat e Kosovës, duke theksuar se emigrimi drejt vendeve evropiane po ndodh për shkak të kushteve më të mira të jetesës dhe pagesave më të larta.
Shala për Ekonomia Online tha se shkollat rrezikojnë të mbesin pa staf arsimor dhe pa nxënës nëse trendi aktual vazhdon.
“Shumë shqetësuese janë informacionet që po i marrim nga terreni për largimin e nxënësve nga shkollat e Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe për largimin e mësimdhënësve nga shkollat e Kosovës.
Shumica prej tyre po emigrojnë nëpër Evropë, ngase atje po gjejnë kushte më të mira për jetesë dhe pagesa më të mira për mësimdhënësit. Është shqetësuese një gjë e tillë, ngase shkollat e Kosovës po boshatisen si nga nxënësit ashtu edhe nga mësimdhënësit. Thjesht, mësimdhënësve po u duhet të mësojnë gjuhën e shtetit ku emigrojnë, pasi përvojën e punës tashmë e kanë. Është shqetësuese, sepse në një të ardhme, nëse vazhdon një ikje e tillë, shkollat tona do të mbesin edhe pa mësimdhënës. Duke analizuar edhe gjendjen politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, kjo po shkakton pasiguri si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit”, tha Shala.
Ajo kritikoi institucionet shtetërore për moskrijimin e kushteve të duhura në arsim dhe për vonesat në funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
“Duke mos pasur siguri në shkollat tona, duke pasur parasysh kushtet e punës dhe pagesat, atje (në vendet evropiane) po gjejnë pagesë më të mirë dhe vlerësim më të mirë. Në të njëjtën kohë, edhe nxënësit me familjet e tyre natyrisht po ikin, ngase po gjejnë kushte më të mira në vende të ndryshme të Evropës. Këtë ikje e ka mundësuar vetë liberalizimi i vizave. Këtë vit, me rastin e liberalizimit, familjarë të ndryshëm po ikin për të provuar jetën e tyre diku në Evropë dhe duke gjetur jetesë më të mirë, natyrisht që po vazhdojnë të jetojnë në ato shtete”, shtoi ajo.
Gjithashtu, Shala përmendi edhe zbatimin e mangët të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për pagesën e përvojës së punës si dhe vonesat në nënshkrimin e kontratës kolektive me Ministrinë e Arsimit.
“Përgjegjës është vetë shteti dhe vetë institucionet që janë përgjegjëse për krijimin e kushteve më të mira, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit. Tashmë kanë kaluar disa muaj nga mbajtja e zgjedhjeve dhe nuk po arrihet të bëhet konstituimi i Kuvendit. I kemi edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës, që kanë të bëjnë me 15 vitet e para të shërbimit. Mësimdhënësve po u paguhen vetëm 0.25% për çdo vit shërbimi, ndërsa Gjykata ka marrë vendim për 0.5%. Rreth katër për qind po dëmtohen në pagë, përballë çmimeve të rritura për jetesë. Kemi edhe rastin e draft-kontratës kolektive, e cila është dashur të nënshkruhet mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut”, tha për EO, Shala.
Një rast i rëndë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ku një i mitur dyshohet se ka kryer një akt dhune seksuale ndaj një të mituri tjetër. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 10 korrik 2025, rreth orës 13:00, në një zonë pyjore të fshatit Gllavicë në komunën e Shtimes.
“Nuk më shqitet nga sytë buzëqeshja e Werner Daum mbrëmë kur u ndamë në oborrin e hotelit”, shkruan Pedagogu i Universitetit Europian të Tiranës, Besjan Zogaj, që shoqëronte ish-ambasadorin gjerman gjatë vizitës së tij në vendin tonë. Miku i Daum, në një reagim pas ndarjes nga jeta të diplomatit, kujton çastet e fundit
Njëherë qenë në prag, e tash u kthyen mbrapsht. Vota as për e as kundër, deputetët nuk iu dhanë as tash në formimin e komisionit për votim të fshehtë në procesin e konstituimit të Kuvendit, por për këtë paralajmërim Vetëvendosje u bë pishman. Kjo parti tash po thotë se nuk do i çojë
Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, ka gjithsej 581 mijë e 95 banesa. Nga to 356 mijë e 959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë, ndërsa 207 mijë e 165 banesa apo 35.7 për qind e tyre janë të pabanuara, përfshirë ato të destinuara për shitje, qira apo përdorime të