Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

Driton Krasniqi, i cili u rrah nga policia në oborrin e shtëpisë së tij në Klinë në fund të qershorit, është urdhëruar të vuajë një dënim me burgim prej gjashtë muajsh, në bazë të një aktgjykimi të datës 16 prill 2025. Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Alban Krasniqi, përmes një komunikate për media.

Sipas avokatit, vetë Driton Krasniqi pretendon se nuk ka qenë i njoftuar më herët për këtë aktgjykim dhe se nuk i është bërë e qartë se për çfarë vepre është dënuar. Ai ka ngritur dyshime të arsyeshme nëse ky rast ka ndërlidhje me denoncimin publik për dhunën policore ndaj klientit të tij.

“Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të z. Driton Krasniqi, ndjejmë obligim profesional të informojmë opinionin publik për disa zhvillime shqetësuese që prekin të drejtat ligjore dhe gjendjen shëndetësore të klientit tonë. Më 28 qershor 2025, z. Krasniqi ishte viktimë e dhunës së dokumentuar policore në oborrin e shtëpisë së tij – një ngjarje e bërë publike dhe për të cilën është iniciuar hetim nga Inspektorati Policor i Kosovës. Dymbëdhjetë ditë më pas, më 10 korrik 2025, ai ka pranuar një urdhëresë për vuajtjen e dënimit me burg prej gjashtë muajsh, në bazë të një aktgjykimi të lëshuar më 16 prill 2025. Z. Krasniqi pohon se nuk ka qenë i njoftuar për këtë vendim dhe ka ngritur shqetësime serioze lidhur me rregullsinë e procesit penal që ka çuar në këtë dënim”, thuhet në deklaratën e avokatit.

Avokati Alban Krasniqi ka deklaruar se ka ndërmarrë katër veprime konkrete lidhur me rastin. Ai ka parashtruar një kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke u bazuar në gjendjen e rënduar shëndetësore dhe psikologjike të klientit të tij si pasojë e dhunës së përjetuar, si dhe në dyshimet për mungesë njoftimi dhe përfaqësim adekuat ligjor gjatë procedurës që ka përfunduar me dënim. Po ashtu, ka kërkuar qasje në të gjithë dokumentacionin gjyqësor, ka kontaktuar Prokurorinë lidhur me procedurën e intervistimit të Krasniqit në rastin e dhunës policore, dhe e ka njoftuar për rastin edhe Avokatin e Popullit.

“Për shkak të këtyre zhvillimeve, gjendja emocionale dhe shëndetësore e klientit tonë është rënduar ndjeshëm. Ne do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e z. Krasniqi dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe të ligjshëm”, ka deklaruar avokati.

Ndërkohë, më 2 korrik 2025, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, caktoi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një polici të dyshuar për përfshirje në rrahjen e Krasniqit, ndërsa dy zyrtarëve të tjerë policorë u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak. Sipas Prokurorisë, të tre policët dyshohen për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”

Related Posts