Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, ka gjithsej 581 mijë e 95 banesa. Nga to 356 mijë e 959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë, ndërsa 207 mijë e 165 banesa apo 35.7 për qind e tyre janë të pabanuara, përfshirë ato të destinuara për shitje, qira apo përdorime të tjera.

Megjithatë, ndërtimi i banesave të reja po vazhdon me intensitet të lartë, ndërsa çmimet për metër katror po rriten në mënyrë të vazhdueshme.

Në qendër të kryeqytetit të Kosovës çmimet e banesave për metër katror variojnë nga 2 mijë deri në 2 mijë e 300 euro. Në lagjet si Aktash, Lagja e Muhaxherëve, Bregu i Diellit, apo Arbëri, çmimet për metër katror shkojnë nga 1 mijë e 500 euro deri në 1 mijë e 635 euro.

Ndërkaq, çmimet më të lira për metër katror nga 1 mijë e 100 deri në 1 mijë e 200 euro janë në lagjet si Prishtina e Re, Mati 1 apo Rruga A.

Diç më lirë për sa i përket çmimeve për metër katror performon qyteti i dytë më i madh në Kosovë, Prizreni – rreth 80 kilometër larg Prishtinës – nga 800 deri në 1 mijë e 500 euro për metër katror, varësisht nga lokacioni.

Por, sipas kryetarit të Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha, në Kosovë çmimi për metër katror është i lirë në krahasim me vendet e rajonit, përkund faktit se çmimi i tokës, materialeve, e deri në një farë mase pagesa e punëtorëve është më e shtrenjta në rajon.

“Përderisa ka kërkesë për banesa të reja është normale që ndërtimi të mos ndalet, ndërkaq çmimi përcaktohet nga shumë faktor, e jo sasia e banesave”, thotë ai.

Hoxha ndër të tjera thotë se diaspora, bazuar në të dhënat e vitit të kaluar të Bankës Qendrore janë blerësit kryesor në vend.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja që bëhen kryesisht në patundshmëri.

Nga mbi 856 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar, mbi 647 milionë u investuan në sektorin e patundshmërisë.

Në anën tjetër Burim Halili, nga Access Real Estate, vlerëson se çmimi i metrit katror në Kosovë vështirë se mund të ketë ulje.

“Çmimi për metër katror momentalisht është në ngritje dhe pritet që kjo ngritje të vazhdojë”, thotë ai për Albanian Post.

Në vlerësimin e tij çmimi i banesave është e përballueshme deri në një farë mase për një shtresë së shoqërisë dhe atë jo shumë afër qendrës.

“Qendra është vështirë e arritshme për ata që nuk kanë kushte të mira materiale”, potencon ai.

Shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 10 për qind, kurse në mesin e të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç është gati 20 për qind.

Kosova mbetet skajshmërisht e varur nga importi i mallrave, por edhe nga remitencat, vlera e të cilave arrin në mbi 1 miliard euro në vit.

Related Posts