Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Një deklaratë e bujshme e presidentit amerikan Donald Trump ka nxitur reagime të kundërta nga krerët institucionalë të Kosovës, duke hedhur dritë mbi mungesën e koordinimit në nivelet më të larta të shtetit për një çështje tepër delikate – një sulm të mundshëm serb ndaj vendit tonë.

Trump së fundmi ka pohuar se administrata e tij ka ndërhyrë për të ndaluar një përshkallëzim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar se “e ka ndalur Serbinë që t’ia mësyjë”. Kjo deklaratë është bërë pjesë e një sërë komentesh nga presidenti amerikan lidhur me tensionet globale, përfshirë ato në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar rolin e Trump në këtë drejtim, gjatë një ligjërate në Uashington. Pa dhënë shumë detaje, Osmani la të kuptohet se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë pasur dijeni për rrezikun dhe për përfshirjen e SHBA-së në parandalimin e tij.

“Ai është shumë i qartë në atë që thotë – për ne që i lexojmë përditë raportet tona të sigurisë, dhe nuk na lejohet të themi më shumë, është e qartë nga deklaratat e presidentit Trump se ai po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në ndalimin e destabilizimit të rajonit tonë, në javët e fundit”, deklaroi Osmani.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pohuar se nuk ka asnjë informacion për një situatë të tillë dhe as për ndërhyrjen e Trumpit në parandalimin e një sulmi të mundshëm nga Serbia. Ai tha se këto informacione mund të jenë të klasifikuara dhe të mbahen brenda administratës amerikane.

“Është vështirë tash të them sepse nuk i di planet që i kanë, nuk i kam as informacionet e tyre, me siguri që Shtëpia e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përgjithësi kanë më shumë informacione se çfarë synimesh operacionale ka pasur Serbia dhe mund të kenë vepruar kundër tyre, faleminderit shumë”, tha Kurti në një intervistë për Tëvë1.

Ai shtoi më tej: “Ato informacione që i kanë ata se çfarë ka bërë si plan konkret operacional kundër Kosovës Serbia mbase ne nuk e dimë edhe është e pritshme që nuk mund ta dimë. Organet tona bashkëpunojmë me SHBA-të dhe mbase një ditë do t’i kemi edhe në ato informacione, por aktualisht ne nuk i posedojmë ato.”.

Trump, në deklaratat e tij të fundit, përmendi edhe çështje të tjera ndërkombëtare, duke thënë se SHBA-ja ka ndërhyrë për të ulur tensionet në disa zona të nxehta: “Në javët e fundit, ne u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Pastaj do të merremi me Kongon dhe Ruandën.”.

I pyetur se pse nuk e ka ndalur luftën në Ukrainë, Trump tha se situata është shumë më e ndërlikuar, duke sugjeruar se në raste të tjera, SHBA-ja ka pasur sukses në ndaljen e konflikteve: “E ndaluam Serbinë, e cila do t’ia mësynte”, tha ai, pa dhënë detaje konkrete.

Related Posts