July 10, 2025

Urat çojnë te zëvendësministri: Tenderi në Mitrovicë përfundon te kompania e “rrethit të ngushtë”

Urat çojnë te zëvendësministri: Tenderi në Mitrovicë përfundon te kompania e “rrethit të ngushtë”

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me 2000 kontrata me negocim, dhe vecmas për ndërtimin e urave në Mitrovicë. Në një komunikatë për opinionin publik, Prokuroria ka bërë të qartë se nuk është kompetente për të vlerësuar ose miratuar projekte infrastrukturore, por roli i saj kryesor është të veprojë në përputhje me ligjin, duke hetuar çdo dyshim për keqpërdorim të fondeve publike.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka eliminuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në një tender për ndërtimin e urave në Mitrovicë, duke përdorur një arsyetim standard të njëjtë për secilën kompani, me shumë pak dallime, që lë të kuptohet për një kurdisje të qëllimshme të tenderit, përcjell KFVA.

Procedura është zhvilluar përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, një formë e jashtëzakonshme që lejohet vetëm në rast emergjence. Por në këtë rast, nuk ka asnjë fakt që justifikon emergjencën për ndërtimin e këtyre urave.

Arsyetimi i eliminimit: i njëjtë për të gjitha kompanitë

Në dokumentet që ka siguruar Demokracia.com, shfaqen arsyeje të njëjta  thuajse copy-paste për operatorët ekonomikë që janë eliminuar. Në shumicën e rasteve, arsyetimi është se:

Nuk i keni përmbushur kërkesat e sigurisë së tenderit

Nuk i keni përmbushur kërkesat e vlefshmërisë së tenderit;

Nuk e keni paraqitur numrin e mjaftueshëm të kopjeve të kërkuara;

Nuk e keni paraqitur deklaratën e cila identifikon nënkontraktuesit

Nuk kanë ofruar dëshmi për kontrata të ngjashme;

Nuk kanë paraqitur dokumente për inxhinierë ndërtimi;

Plani dinamik i punimeve tejkalon afatin e kontratës;

Lista e pajisjeve nuk i plotëson kërkesat e dosjes së tenderit;

Mungojnë deklaratat për nënkontraktuesit;

Janë bërë gabime aritmetike;

Nuk janë plotësuar formularët në mënyrë korrekte.

Dyshimi kryesor që ngrihet nga fakti se të gjitha kompanitë janë eliminuar me arsyetim pothuajse identik është se procedura e vlerësimit nuk ka qenë reale, por formale, dhe është përdorur vetëm për të legjitimuar një vendim të paracaktuar për shpalljen e një fituesi të caktuar.

Ministria e Infrastrukturës ka ftuar pesë kompani për të paraqitur ofertat e tyre të mbyllura në tenderin me procedurë negociuese pa publikim për ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorë dhe automjete në Mitrovicë. Kompanitë që kanë pranuar ftesë janë:

  1. Arsimi Company SH.P.K. nga Ferizaj – me ofertë prej 2,890,106.27 euro;
  2. EUROKOS Holding SH.P.K. nga Çagllavica – me ofertë prej 2,999,628.18 euro;
  3. Famis CO – HC SH.A. nga Suhareka – me ofertë prej 3,203,223.63 euro;
  4. Lika Trade SH.P.K. nga Deçani – me ofertë prej 3,311,341.61 euro;
  5. VIA SH.P.K. nga Lipjani – me ofertë prej 3,420,764.45 euro.

Fitues është shpallur EUROKOS Holding, ndonëse ofertat e një prej kompanive të eliminuara kanë qenë dukshëm më të ulëta. Të gjitha kompanitë e eliminuara janë përjashtuar me arsyetime që, në masë mbi 90 për qind, janë të njëjta, çka ngre dyshime serioze për qëllimin dhe drejtësinë e procedurës së ndjekur. Kjo praktikë është e pazakontë dhe përjashton parimin bazë të vlerësimit të pavarur për secilin operator. Madje edhe kompania “Lika”, e cila në Kosovë fiton tenderë të shumtë dhe të mëdhenj, është eliminuar me arsyetimin se gjoja “nuk i ka përmbushur kërkesat e sigurisë së tenderit; nuk i ka përmbushur kërkesat e vlefshmërisë së tenderit; nuk e ka paraqitur numrin e mjaftueshëm të kopjeve të kërkuara”, e të tjera të ngjashme. Është e pabesueshme që një kompani që fiton kontrata kaq të mëdha nuk arrin t’i plotësojë këto kërkesa elementare, të cilat janë të obligueshme për çdo lloj tenderi. Pastaj këto kërkesa identike, sipas ministrisë nuk i kanë përmbushur asnjëra nga kompanitë, pos asj fituese.

Ligji: Kur lejohet negociimi pa publikim?

Tenderi për ndërtimin e urave në Mitrovicë, me vlerë miliona euro, është zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim, që është jashtëligjore, pasi nuk plotëson asnjërën nga arsyet e lejuara në Nenin 35 të LPP-së.

Në rastin konkret, nuk qëndron asnjë prej tri arsyeve të pikës 2.1 të Nenit 35 që do ta lejonte këtë procedurë për një kontratë pune, pra:

  • Nuk ekziston ndonjë emergjencë ekstreme e paparashikueshme që e ka pamundësuar aplikimin e procedurave të rregullta (pikë 2.1.iii);
  • Nuk ka ndonjë arsye teknike apo artistike që justifikon zgjedhjen e një operatori të vetëm (pikë 2.1.i);
  • Dhe nuk ka asnjë arsye ligjore për përjashtim ekskluziv, siç kërkohet në pikën 2.1.ii.

Kjo do të thotë se përdorimi i negocimit pa publikim për këtë kontratë nuk ka bazë ligjore, dhe rrjedhimisht, është bërë shkelje e ligjit të prokurimit publik.

Fituesi: Eurkos Holding,  lidhje me shokët e Dumrishit

Tenderi, pas eliminimit të të gjithë pjesëmarrësve, i është dhënë kompanisë Eurkos Holding.

Kjo kompani ka fituar disa kontrata nga Ministria e Infrastrukturës nën udhëheqjen e Hysen Durmishit, dhe shpesh ka qenë pjesë e konsorciumeve me kompani të lidhura me familjen e shokut të zëvendësministrit Hysen Durmishi, siç është kompania “Bageri”.

Edhe pse në këtë tender fitues është shpallur vetëm Eurkos Holding, në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale nga vetë Kryeministri i Kosovës, shihen punëtorët në teren me bluza ku poshtë logos Eurkos gjendet edhe logoja “Dio Bes”, një kompani që është në pronësi të vëllait të pronarit të kompanisë Bageri, pronari i së cilës është shok i afërt i zv.ministrit Durmishi.

Dyshimet për kurdisje dhe keqpërdorim thellohen edhe më shumë nga fakti se ky projekt po ndodh pak para zgjedhjeve lokale të tetorit. Sipas kontratës, afati për përfundimin e punimeve është 90 ditë nga dita e nisjes, e cila ka filluar para pak ditësh. Kjo nënkupton se urat do të përfundojnë pikërisht në prag të fushatës zgjedhore, më 12 tetor – duke ngritur dyshime serioze se projekti është vënë në shërbim të fushatës politike të qeverisë.

Nëse do të ishte zhvilluar një procedurë e hapur dhe transparente, siç e kërkon ligji për këtë lloj kontrate, atëherë procesi i përzgjedhjes do të merrte muaj të tërë, duke filluar me periudhën 40-ditore të ofertimit, pastaj me shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave, e më pas me afatet ligjore për ankesa. Por kjo rrugë u anashkalua qëllimshëm, në mënyrë që punimet të nisin e të përfundojnë brenda një kalendari të favorshëm elektoral.

 

Related Posts

Go to Top