Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar përmbledhjen mujore për muajin maj 2025, duke nxjerrë në pah numrin e lartë të ankesave dhe shkeljeve të evidentuara ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Sipas raportit zyrtar, gjatë këtij muaji janë pranuar gjithsej 225 ankesa, që përkthehen në një mesatare prej 7.5 ankesash në ditë, ose 56.2 në javë.

Nga këto ankesa, 166 janë klasifikuar si shkelje disiplinore, të cilat janë përcjellë për trajtim në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës brenda vetë Policisë së Kosovës. Ndërkohë, 59 ankesa tjera janë adresuar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së, pasi janë cilësuar me dyshime për përfshirje në vepra penale, shkruan KFVA.

Në kuadër të hetimeve penale, Departamenti i Hetimeve i IPK-së ka pranuar 59 raste të reja për hetim penal, duke reflektuar një dinamikë të shtuar në ndjekjen e shkeljeve më të rënda. Po ashtu, IPK ka lëshuar 13 rekomandime për suspendim të zyrtarëve policorë, të cilët janë larguar përkohësisht nga detyra në interes të hetimeve, si dhe janë arrestuar 5 zyrtarë të dyshuar për veprime të paligjshme.

Përveç hetimeve, Departamenti i Inspektimit në IPK ka zhvilluar një sërë aktivitetesh mbikëqyrëse për të siguruar që strukturat e Policisë së Kosovës të veprojnë në përputhje me ligjet dhe standardet operacionale. Gjatë muajit maj janë realizuar inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme në disa stacione policore:

Në Stacionin Policor të Podujevës dhe SPMK në Gjilan, janë zhvilluar inspektime jashtëzakonshme lidhur me menaxhimin e punësimeve dytësore, që kanë përfunduar me raporte finale.

Është në proces vlerësimi i reagimit në thirrjet e qytetarëve dhe raportimit të aktiviteteve në nivel vendi.

Po ashtu, është në zhvillim një inspektim i jashtëzakonshëm për përdorimin e teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes.

Sa i përket angazhimit të IPK-së në aspektin ligjor, për muajin maj janë paraqitur: 11 kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit; 3 raporte të veçanta dhe 3 raporte informuese po ashtu të dërguara në Prokurori.

Ndërkohë që janë proceduar 27 raste në Drejtorinë për Hetime të Brendshme (DHB), Drejtorinë për Procedura të Përgjithshme në Policinë e Kosovës (DPP-PK) dhe Arkivin e IPK-së.

Kujtojmë se në fillim të javës u arrestuan 3 zyrtarë policor që kishin ushtruar dhunë ndaj një qytetari në Komunën e Klinës. Derisa po e arrestonin të dyshuarin, njëri policët e godet me shuplaka dhe boksa, që kapet nga kamerat e sigurisë së shtëpisë, e që pas publikimit të pamjeve 3 zyrtarët janë arrestuar dhe me kërkesë të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./KFVA/

Related Posts