Kontest për medaljen e artë: Kërkohet që Imane Khelif ta kthejë pas dyshimeve për gjininë

 

 

Një debat i fortë ka shpërthyer në botën e boksit amator, ku presidenti i organizatës IBA, Umar Kremlev, ka kërkuar që Imane Khelif, fituesja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Parisit, të kthejë medaljen, pas dyshimeve të forta lidhur me gjininë e saj.


Khelif, 26 vjeç, dominoi kategorinë e saj duke mposhtur katër kundërshtare rrugës drejt finales, por gjatë fushatës së saj, IBA zbuloi se ajo ishte përjashtuar nga Kampionati Botëror 2023 pas një testi kromozomesh. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi që të vazhdonte rrugëtimin e saj në Paris dhe të rrëmbejë medaljen më të lartë në podium.

IBA, e cila ka humbur njohjen zyrtare nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për shkak të akuzave për korrupsion, është zëvendësuar nga një trupë e re, World Boxing, e cila ka nisur zbatimin e testeve të detyrueshme për verifikimin e gjinisë.

Presidentja e re e IOC, Kirsty Coventry, ka njoftuar krijimin e një grupi pune për të “mbrojtur kategorinë femërore” në sport, por Khelif deri më tani nuk është detyruar të kthejë medaljen, edhe pse duket e pamundur që ajo të lejohet të garojë në Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028.

Në një intervistë për SunSport, Kremlev u shpreh i revoltuar: “Jo, nuk jam i kënaqur. Një medalje duhet të fitohet me meritë të vërtetë. Duhet të mbrojmë atletët dhe të sigurojmë kushte të barabarta për të gjithë. Tani që e vërteta ka dalë, ajo medalje duhet t’i kthehet pronarit të saj të vërtetë – një gruaje të vërtetë.”

Kremlev kritikoi ashpër edhe IOC, duke hedhur akuza për trajtimin e pabarabartë të sportistëve: “Është çmenduri që zyrtarët e IOC qëndrojnë në hotele me pesë yje e udhëtojnë me avionë privatë, ndërsa sportistët ndajnë fjetore në fshatin olimpik. Janë sportistët që i japin jetë Lojërave Olimpike – ata meritojnë më shumë: medalje të vërteta dhe respekt.”

Imane Khelif ka mohuar vazhdimisht të jetë mashkull biologjik, dhe ka ngritur padi për ngacmim kibernetik, duke përmendur edhe emra të njohur si Elon Musk dhe J.K. Rowling si pjesë e një fushate online ndaj saj.

Ndërkohë, një zëdhënës i IOC ka përsëritur më herët se kriteret për përfshirjen në kategori sportive janë në kompetencë të federatave ndërkombëtare përkatëse. “Faktorët që ndikojnë në performancën sportive janë specifikë për çdo sport,” thuhet në reagim.

Tashmë pritet të shihet nëse presioni publik dhe reagimi i IBA do të sjellë vendime të reja nga IOC në lidhje me medaljen e Imane Khelif dhe përfshirjen e saj në garat e ardhshme ndërkombëtare.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…