Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takime të ndara krerët e partive politike Memli Krasniqi, Albin Kurti, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, shkruan KFVA.
“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.” – thuhet në njoftimin e Presidencës.
Liderët kanë paraqitur qëndrimet dhe interpretimet e tyre lidhur me Aktgjykimin dhe rrugën përpara në konstituimin e Kuvendit.
I pari që zhvilloi takim me Osmanin ishte kreu i VV’së Albin Kurti, i cili me të dalur nga takimi tha se janë përmendur të gjitha elementet përbërëse.
“Diskutuam gjerë e gjatë. I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash Presidentja do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive tjera politike, e mbase në fund do të shohim a kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Unë besoj se do t’i japim shancin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim cili është progresi që jemi të interesuar të gjithë”, tha Kurti.
Ndërsa kreu i PDK’së, Memli Krasniqi tha se në takim është folur edhe që Presidentja t’i drejtohet Kushtetueses për ngërçin.
“Unë besoj që këtë diskutim e kemi pasë edhe herën e kaluar, por i takon Presidentes të marrë një vendim të tillë. Nuk mund të them nëse a do ta dërgojë apo kur do ta dërgojë. Unë mund të ju them që PDK tashmë e ka lëndën gati për shkeljet Kushtetuese që janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme në dy seancat e kaluara që mund të ndodhë edhe nesër nëse nuk ndërron qasja e kryesuesit të seancës dhe VV”, ka thënë Krasniqi.
Lumir Abdixhiku nga LDK u shpreh se mirëpresin interpretimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se praktikat e deritanishme janë të qarta, sipas tij.
“Ne mirëpresim interpretimin e Gjykatës Kushtetueses, praktikat e deritanishme janë shumë të qarta, votimi në formë hapur. LDK nuk ka cështje të emrave sa i përket kandidatit, me plotë zemër do të votoj kundër kandidatëve të VV-së. Kjo përbën shkelje kushtetuese, ftojmë për koncensus për unitet. Le të ofrojnë zgjedhje, kjo i duhet vendit tonë kalimi i krizës artificiale institucionale”, u shpreh kryetari i LDK-së.
“Tema ishte bllokada në Kuvend dhe si me dalë edhe pas vendimit të gjykatës. Presidentja ka shqetësim se koha po ec shpejt, afati është 30 ditor u interesua për mënyrën se si mundet me dalë nga kjo situatë Kosova. Ne kemi shpresuar që pas vendimit VV-ja do ta shfrytëzojë mundësinë për me kthyer në votim të hapur, ne kemi shpresuar që do të mbërrijmë tek një kandidat konsensual, por kemi ngecur tek ky komision që është i gabuar. Për çdo votë që nuk ka kaluar nuk është rikthyer në të kaluarën, çdo gjë që nuk ka kaluar në votim nuk është rikthyer. Kemi ngecur, nuk e di se si do të dalim prej kësaj. Qëllimet i kemi thënë në mënyrë që ta ndihmojmë gjendjen, kemi kërkuar të kthehet praktika e votimit të hapur dhe votimit. Një temë që ishte diskutuar është se çfarë ndodh pas 30 ditësh, gjykata e ka forcuar shumë vendimin.”, u shpreh Haradinaj.
Osmani takoi liderët e partive parlamentare veç e veç, në përpjekje për të gjetur rrugën drejt daljes nga ngërçi politik në të cilin ka hyrë Kosova si pasojë e dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Ndërkaq Osmani pritet të vazhdojë konsultimet me partitë e tjera në ditët në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit të Kosovës.
Kujtojmë se ky takim vije pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila urdhëroi deputetët javën e kaluar që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Ndryshe rregullorja e punës obligon deputetët të mblidhen çdo dy ditë për seancën konstituive, e cila konsiderohet e mbyllur pas zgjedhjes së kryesisë. Si rrjedhojë, Kuvendi po mban mbledhje çdo dy ditë tash e më shumë se 70 ditë./KFVA/