Temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë, Gjykata Themelore redukton orarin e punës

 

 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të ndërmarrë masa të përkohshme për shkak të kushteve të vështira të punës në Pallatin e Drejtësisë, të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe mungesa e klimatizimit. Masat do të jenë në fuqi deri më 25 korrik 2025, me mundësi rishikimi.

Në një njoftim zyrtar, Gjykata bën të ditur se ka marrë vendim që orari i punës të reduktohet nga ora 08:00 deri në 14:00. Kjo është bërë në bazë të vendimit të KGJK-së Nr. 01/802 të datës 27 qershor 2025 dhe pas takimit të ftuar nga kryetarja e gjykatës, Albina Shabani Rama, me udhëheqës të departamenteve dhe administratës.

“Shërbimet administrative do të mbeten funksionale edhe pas orës 14:00, vetëm me staf të kufizuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës,” thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjykata sqaroi se seancat gjyqësore të caktuara pas orës 14:00 do të zhvillohen sipas planit, përveç kur “gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet e punës nuk e lejojnë mbajtjen e tyre”, përcjell Periskopi.

Një lehtësim është paraparë edhe për stafin që përballet me sëmundje kronike.

“Stafi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilët janë të diagnostifikuar me sëmundje kronike, lirohen nga puna nga ora 12:00.”

Gjykata bën të ditur se këto masa janë të përkohshme dhe do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke mundësuar zgjatjen apo ndryshimin e tyre varësisht nga zhvillimet klimatike.

Në fund të njoftimit, theksohet se vendimi është marrë “me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të stafit dhe palëve pjesëmarrëse në procedurë”./KFVA/

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…