Të dyshuarit për sulmin në Banjskë shfaqen në Beograd, në sigurimin e Presidencës të Serbisë gjatë protestave masive

 

 

Një protestë masive është mbajtur të shtunën në Beograd, ku sipas të dhënave preliminare të Arkivit të Tubimeve Publike, morën pjesë rreth 140 mijë qytetarë. Megjithatë, Ministria e Brendshme e Serbisë i ka minimizuar këto shifra, duke pretenduar se në protestë kanë qenë vetëm 36 mijë persona.

Protesta, e udhëhequr kryesisht nga studentët, përfundoi me tensione dhe përleshje me forcat policore.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, akuzoi të dielën studentët protestues për “thirrje të drejtpërdrejta për konflikt civil dhe sulme ndaj policisë”, duke iu referuar zhvillimeve në fund të protestës në sheshin Sllavija më 28 qershor.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiq, Vuçiq kërkoi nga prokuroria që të ndërmarrë veprime ligjore ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestës

“Të mos sillen si të paaftë dhe naivë”, tha ai.

Por ajo që ka nxitur reagime të mëdha publike është prania e disa personave të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, të cilët janë parë duke ofruar siguri për ndërtesën e Presidencës së Serbisë gjatë protestës.

 

Sipas fotografive të publikuara nga shoqëria civile dhe opozita serbe, personat që janë angazhuar në sigurimin e Vuçiqit përfshijnë:

Milorad Jevtiq (i njohur si Micko), pjesëtar i organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe i identifikuar si pjesëmarrës në sulmin në Banjskë. Ai është parë i maskuar si punonjës i Kryqit të Kuq. Policia e Kosovës më parë ka sekuestruar letërnjoftimin e tij dhe një automjet të përdorur gjatë sulmit.

Zarko Cvetkoviq, ish-bashkëpunëtor i Milun Milenkoviq “Lune”, gjithashtu pjesëtar i “Mbrojtjes Civile” dhe i përfshirë në sulmin e Banjskës. Ai shihet i veshur me uniformë të njësive të kërkim-shpëtimit dhe me radio-lidhje.

Vladimir Vuçetiq dhe Vukashin Jarediq (vëllai i Ugljesa Jarediq), të cilët gjithashtu janë të lidhur me ngjarjet në Banjskë dhe përmenden në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Aktivistë të shoqërisë civile serbe dhe politikanë opozitarë kanë reaguar ashpër, duke deklaruar se “personat përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë tashmë janë bërë pjesë e sigurimit personal të presidentit Vuçiq”.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, njoftoi se gjatë protestës në Sllavija janë ndaluar 77 persona, ndërsa 48 zyrtarë policorë janë plagosur, përfshirë 38 nga xhandarmëria, dy nga brigada speciale, shtatë nga njësia për intervenime dhe një nga sigurimi operativ.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…