Me afrimin e sezonit veror dhe rikthimin e mërgimtarëve në vendlindje, Policia e Kosovës ka publikuar një njoftim të posaçëm për mirëseardhje, duke apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion, shkruan Gazeta KFVA.
“Bashkatdhetarë të dashur, mirë se erdhët në vendin tuaj!”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. Me këtë mesazh, institucioni i rendit u bën thirrje bashkatdhetarëve që të kontribuojnë për sigurinë në rrugë, duke respektuar rregullat bazë të trafikut.
“Për sigurinë tuaj dhe të familjes suaj, respektoni rregullat në trafik”, theksohet më tej.
Policia ka përmendur disa pika kyçe që ndihmojnë në shmangien e aksidenteve:
Shpejtësia e kontrolluar,
Përdorimi i rripit të sigurisë,
Mosshfrytëzimi i telefonit gjatë vozitjes.
Apeli vjen në kohën kur pritet fluks i madh në rrugët e Kosovës për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve nga diaspora. Institucionet përgjegjëse thonë se do të rrisin praninë në terren dhe patrullimet për të garantuar mbarëvajtjen e trafikut dhe sigurinë për të gjithë qytetarët.
