Trump e shkel gazin, Kosova s’di kush mban timonin

 

 

Ardhja e deputetëve sot në seancë për herë të 32-të doli të jetë sërish e kot. Ata nuk arritën ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja, përcjell KFVA.

Krejt kjo për shkak që partia e parë fituese, Vetëvendosje, nuk po arrin me i bë numrat për votimin e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare.

Derisa dështimet e ligjvënësve nuk po kanë fund, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump paralajmëroi për marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje ai duke fajësuar ish presidentin Biden, tha se ishte vet Trump që ndaloi luftën Kosovë-Serbi.

“…Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin në përplasje të ashpra, siç kanë qenë për dekada me radhë, dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova! (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të gabuara, por unë do ta rregulloj sërish!)”, ka shkruar Trump.

Por me vëmendjen e SHBA-së ende s’dihet se cili do të merret për shkak të mosformimit të qeverisë re. E kjo u kritikua nga profesori dhe opinionisti politik, Valon Murati, duke pyetur se “ne a kemi plan?”

“Pyetje të rënda për një shoqëri e sidomos politikë që nuk mund ta konstituojë Kuvendin që dy muaj e pas 32 përpjekjeve”, tha ai.

Ndërsa ish deputeti Besnik Tahiri e cilëson këtë deklaratë si një sinjal që Kosova duhet ta lexojë me kujdes, sidomos në një kohë kur bota përballet me konflikte serioze.

Ai tha se Kosova duhet të kthejellet.

“Presidenti Trump sot foli qartë për një marrëveshje të shpejtë mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa në të njëjtin postim përmendi edhe marrëveshjen Kosovë–Serbi. Në këtë kohë që në botë po ndodhin luftëra, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme”, shkroi Tahiri në një reagim në Facebook./

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…