Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur procedurat e largimit për N.V, pasi humbi shtetësinë e Kosovës.
Më herët, u bë me dije se ai ka qenë pjesëtar i intelegjencës së policisë në Serbi, njëkohësisht edhe shtetas i Kosovës.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjeve dhe vendimeve që nxirren nga institucionet e Republikës. Bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi humbjen e shtetësisë me privim, ndaj personit N.V., ish shtetas i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe i Serbisë dhe pjesëtar i inteligjencës së policisë në Serbi, Policia e Kosovës, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit në fjalë ka filluar procedurat për largim me forcë nga vendi ynë” – thuhet në njoftim.
“Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit të fjalë është duke u zhvilluar procedura bazuar në ligjet që rregullojnë këtë çështje dhe lidhur me këtë ka lëshuar vendimin për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës.
Deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj” – bëhet me dije tutje






