Izraeli sulmoi gjatë natës Iranin. Sipas burimeve ushtarake izraelite, janë goditur objekte të lidhura me programin bërthamor iranian dhe lokacione ushtarake, përfshirë kompleksin kyç për pasurimin e uraniumit në Natanz. Shpërthime janë dëgjuar edhe në Teheran.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e Izraelit.
Ndërkohë, Irani ka dërguar qindra dronë drejt Izraelit, por ushtria izraelite ka njoftuar se të gjithë janë rrëzuar me sukses, raporton Telegrafi, transmeton KFVA.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se një konflikt me Iranin do të ishte kaotik dhe mund të zhytej e gjithë rajoni në luftë, por Izraeli gjithsesi ka vendosur të ndërmarrë sulmin.
Edhe pse Irani është dobësuar ndjeshëm nga sanksionet dhe izolimi ndërkombëtar, ai ende mban kapacitet për të destabilizuar rajonin dhe ekonominë globale.
Gazeta britanike The Times ka renditur pesë skenarë të mundshëm të përgjigjes iraniane:
1. Skenari i parë: Irani kundërpërgjigjet me sulme raketore ndaj bazave amerikane dhe Izraelit
Irani zotëron mijëra raketa me rreze të mesme, të afta të godasin baza amerikane në rajon – përfshirë ato në Irak dhe bazën ajrore al-Udeid në Katar. Në vitin 2020, pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga një dron amerikan, Irani goditi baza amerikane në Irak. Edhe pse nuk pati viktima atëherë, një sulm i ri mund të jetë shumë më i gjerë, me objektiva të shumta dhe përfshirje të aleatëve iranianë në Irak dhe Jemen, gjë që do ta vështirësonte ndjeshëm mbrojtjen.
2. Skenari i dytë: Irani sulmon fushat e naftës në rajon
Lindja e Mesme prodhon rreth 30 për qind të naftës botërore, kryesisht në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajt. Në vitin 2019, një sulm me raketa dhe dronë mbi një objekt nafte në Arabinë Saudite – për të cilin fajësohej Irani – e gjysmoi prodhimin saudit të naftës dhe hoqi përkohësisht 5% të furnizimit global.
