Marrëveshje e Dhomave të Specializuara me Belgjikën: Qerkini tregon se a mund të falen nga presidenti i Kosovës të dënuarit në Hagë

 

 

Avokati Artan Qerkini, i cili është i akredituar në Gjykatën Speciale si avokat mbrojtë ka folur lidhur me marrëveshjen e arritur mes Gjykatës Speciale dhe Belgjikës që të burgosurit të vuajnë dënimin në Belgjikë.

Avokati Qerkini ka thënë se administratorja e Dhomave të Specializuara ka mandat që të lidhë marrëveshje me shtete të treta ku të dënuarit me dënim të formës së prerë mund t’i vuajnë dënimet në ato vende.

“Marrëveshja e parë e kësaj natyre, me sa e di unë, është kjo marrëveshje e nënshkruar në mes Dhomave të Specializuara dhe Belgjikës. Sipas kësaj, Belgjika detyrohet që t’i pranojë të gjithë ata persona të cilët dënohen nga Dhomat e Specializuara me një aktgjykim të formës së prerë. Natyrisht që marrëveshja përmban edhe detaje të tjera, ku më ra në sy një detaj mjaft interesant, sepse në vetë marrëveshjen shkruan se personat të cilët do të dënohen nga Dhomat e Specializuara dhe do t’i vuajnë dënimet në Belgjikë, nuk mund të falen sipas ligjit për falje të Republikës së Kosovës dhe ata mund të lirohen para se të mbajnë dënimin vetëm në bazë të vendimeve të Dhomave të Specializuara”, ka thënë ai.

Tutje, Qerkini ka thënë se Dhomat e Specializuara me këtë kanë dashur që të sigurohen që Belgjika nuk do ta zbatojë asnjë vendim për falje që mund ta japë presidenti.

Ai ka folur edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara, ku është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarve për lirim me kusht.

“Unë jam i befasuar nga ky vendim, ngase në momentin kur çështja ka kaluar para trupit gjykues, trupi gjykues asnjëherë në vendimet për vazhdimin e paraburgimit nuk ka konstatuar se ekziston rreziku i ikjes, vetëm ka konstatuar se ekziston rreziku për të ndikuar në dëshmitarë. Mirëpo, ne e dimë se Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj, për rrjedhojë më nuk ka dëshmitarë që të ftojë, dhe nëse i vetmi rrezik procedural ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë, tashmë ai rrezik nuk ekziston”, ka thënë ndër të tjera Qerkini.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…