Xhelal Sveçla, ministri në largim i punëve të brendshme në emisionin “RTK Prime”, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kjo lëvizje ka sjellë një qytetari aktive dhe ndikim të thellë në politikën e vendit.
“Po ta shohim në retrospektivë gjithë punën e LV-së dhe të aktivistëve, është një punë jashtëzakonisht e madhe, me vështirësi, sakrifica dhe suksese. Ia ka vlejtur të jemi pjesë e një lëvizjeje emancipuese”, tha Sveçla.
Ai kujtoi se Lëvizja nisi nga një grup të rinjsh të pakënaqur me rrjedhat politike të kohës, të cilët vendosën të organizohen për të ndikuar në drejtimin e vendit.
“Ishim të bindur se duhet të bëhemi akterë kryesorë në politikën e Republikës, për të përmbushur atë që u kemi thënë aktivistëve dhe qytetarëve tanë”, u shpreh Sveçla.
Po ashtu, ai tha se nuk sheh ndryshim të LV-së. “Pas çlirimit të Kosovës, në vend se të punonim për shtetformim, menjëherë na u hodhën ide të ndryshme apo orientime të këqija, ide të papranueshme për popullin tonë. Prandaj edhe sot ka probleme brenda Kushtetutës së Kosovës për shkak të Pakos së Ahtisarit”, tha Sveçla.