Kush është agjenti i BIA-s me nofkën “snajper” që e pranoi fajësinë?

 

 

Aleksandar Vlajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale “spiunazh” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Në seancën e së enjtes u tha se Vlajiq, agjent i BIA-s serbe, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.

Kush është agjenti i BIA-s që e pranoi fajësinë?

Aleksandar Vlajiq akuzohet për veprën penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.”

Vlajiq, është njëri nga katër të akuzuarit për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut më 2022.

Sipas Prokurorisë, Vlajiq, nga data e pacaktuar deri në momentin e arrestimit më 26.06.2024, në cilësinë e agjentit rezident, ka mbledhur dhe i ka dërguar Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, informacione dhe dokumente të rëndësishme që cenojnë rendin kushtetues të Kosovës dhe jetën e zyrtarëve shtetërore dhe qytetarëve të saj.

“Nga provat e siguruara, ka rezultuar se i pandehuri A.V kishte krijuar një rrjet të punësuarve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së këtyre organizatave që ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe kishte mbledhur informacione, për persona të nacionalitet serbë, me qëllimin që ti paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, informacionet e mbledhura Vlajiq i kishte dërguar tek një zyrtar i BIA-së.

“I pandehuri, informacionet dhe dokumentet e siguruara, ja kishte përcjellë zyrtarit të lart të BIA-së, R.G, shef i njërës prej Qendrave të BIA-së në territorin e Serbisë, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike” – sqaroi Prokuroria Speciale.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tashmë të akuzuarit për spiunazh, Policia kishte gjetur edhe një armë e modelit Crvena Zastava, dhe një spërkatës gaz lotsjellës, të cilat i janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, Vlajiq, sipas Prokurorisë Speciale ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.”

Prokurori i rastit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, që të pandehurit Aleksandqr Vlajiq t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësorë dhe të njëjtin ta shpall fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, duke e obliguar që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…