Kos: Kosova t’i formojë institucionet, rruga drejt BE’së kalon nëpërmjet dialogut dhe normalizimit me Serbinë

 

 

Komisarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë – një proces i domosdoshëm për avancimin e reformave të lidhura me Bashkimin Evropian.

“Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, është thelbësore të formohen shpejt institucionet dhe të ecet përpara me reformat kyçe në gjyqësor, media dhe administratë publike. Një qeveri funksionale dhe kuvend funksional janë thelbësore që Kosova të përfitojë nga Plani Evropian për Rritje”, ka thënë Kos, raporton RTK, transmeton KFVA.

Komisarja evropiane foli në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me proceset integruese të vendeve të rajonit.

Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon me perspektivë evropiane për të cilin ende nuk është trajtuar aplikimi për marrjen e statusit të kandidatit. Marta Kos konfirmoi gatishmërinë për ta trajtuar këtë dokument, por theksoi se kërkesa për këtë duhet të vijë nga shtetet anëtare të BE-së.

Ajo porositi se dialogu dhe përmbajtja nga veprimet e njëanshme janë rruga e vetme për të avancuar drejt strukturave evropiane.

“Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin mbi anëtarësimin e Kosovës në BE sapo Këshilli ta kërkojë këtë. Por më lejoni të jem e qartë: rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, e jo përmes veprimeve të njëanshme”, ka shtuar ajo.

Sa i përket vendeve tjera të rajonit, komisarja Kos cilësoi se në Serbi ka regres a i përket procesit reformues. Ajo kritikoi vizitën e presidentit serb në Moskë, duke vlerësuar se me këto veprime po bëhet më i vështirë avokimi për këtë shtet.

Nga ana tjetër Marta Kos përgëzoi avancimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e negociatave të anëtarësimit dhe inkurajoi shtetet tjera të rajonit që të përparojnë në reforma./

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…