Gjykimi i Endrit Nikës për vrasjen e të dashurës argjentinases, babai i të akuzuarit jep detaje si mori vesh për rastin tragjik

 

 

Në gjykimin e Endrit Nikës, i akuzuar se ka hedhur nga kati i 6-të i një hoteli në Fushë-Kosovë të dashurën e tij argjentinase, në seancën e së hënës, më 02.06.2025, ka dëshmuar Ismajl Nika, babai i të akuzuarit.

Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K.U., e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.

Dëshmitari Nika tha se herën e fundit kur e ka parë tashmë të ndjerën kishte qenë në ahengun familjar në shtëpinë e tij.

“Herën e fundit – në natën e dasmës më 31 korrik 2023, kemi pasë natën e dasmës, kemi pasë të ftuar diku 300-350 mysafirë në shtëpi. I kishin pasë pëlqy jashtë mase traditat tona” – tha dëshmitari Nika.

Dëshmitari Nika tha se për rastin tragjik kishte marrë vesh nga një familjar i tij të nesërmen, ndërsa tha se natën kur i kishte parë tani të ndjerën dhe djalin e tij në ahengun në shtëpi nuk kishte parë diçka të pazakontë.

Dëshmitari Nika tha se për rastin kishte mësuar fillimisht nga një familjar i tij, mirëpo i njëjti nuk i kishte treguar si kishte ndodhur rasti mirëpo i kishte  thënë se djali i tij (i akuzuari) dhe e ndjera kishin bërë aksident, ndërsa kur kishte shkuar në Polici e kishte mësuar tërë rastin.

“Kam qenë në oborr ora 10:00 e ditës duke i mbledhur shishet që ishin në oborr, dhe mixha erdh, Ramadan Nika, dhe po thotë: “Ismajl diçka ka ndodhë, Endriti me atë çikën ka ba ndeshje me kerr”. Ani, thash, a ish lëndu C.? Tha: “Endritin e ka marrë Policia e C. është në spital po pak është gërvishë”. Gjatë rrugës për në Drenas më ka thirrë një baxhanak i imi dhe më tha: “A ke mundësi me ardhë deri te unë?” Dhe jam shku deri te baxhanaku në Fushë-Kosovë”-tha dëshmitari.

“Kur shkova, kur jemi hi në kerr dhe jemi shku në Polici, në Krime të Rënda, thash: “Çka u bo Arton?”. Më tha: “Banu i fortë se Endriti me C. ka pasë fjalosje dhe e ka kapë prej ballkoni e ka gjuajtë në tokë”. Beso mendtë janë kanë tuj  m’lanë”-shtoi më tej dëshmitari.

Dëshmitari Nika tha se pas ngjarjes kishte biseduar me djalin e tij (të akuzuarin), dhe tregoi se çka i kishte thënë tani i akuzuari pas ngjarjes tragjike.

“Na ka shpjegu se në dhomë i kanë pasë disa mosmarrëveshje para se me hi në hotel dhe kur jane hi në dhomë mas një kohe dhe më ka thanë: “Flejtë jam kanë, ma ka gjujtë do ujë: Çu tregom kush ke qajo vajzë që kërceve me të në dasëm”. Qysh jam kanë ratë, jam kthy në bark,  i kam thanë: “Lem rahat C., se nesër kemi dasëm ke me i pa tana. Janë familjare mos u frikëso”. Unë jam kanë tha përgjumshëm  tha pak më ka grrithë, i thash: “Rri, unë po shkoj në Gllanasellë, ti pra rri nesër vij të marr”. Jam nisë në drejtim të derës veç kur e kam ni një zhurmë, kur u ktheva kam vrapu te dritarja e pash si gropë aty më ka hupë vetëdija, kam bërtitë: “C., C.,”. Beso, më tha, as me dorë nuk e kam prekë” -tha dëshmitari Nika.

Dëshmitari Nika tha se i akuzuari i kishte thënë se pasi tashmë e ndjera kishte rënë në tokë ai ishte munduar që ta shpëtojë.

“Kur e ka pa C.-në në tokë u mundu në ato mundësi të veta me i ndihmu. Për atë thot i ka thanë: “Thuju mamit e babit ju dua shumë!””-tha dëshmitari atë se çka i kishte thënë i akuzuari atij.

Dëshmitari Nika tha se djali i tij dhe tani e ndjera kanë pasur raporte shumë të mira mes vete, dhe se tani i akuzuari i kishte thënë atij se edhe do t’i propozojë edhe martesë.

Tutje, dëshmitari tha se nuk kishte vërejtur diçka të pazakontë në lidhjen e tyre.

Dëshmitari tutje, ndër të tjera, tha se pas ngjarjes kishte tentuar që të takohet me familjen e tani të ndjerës mirëpo ky takim nuk kishte mundur të realizohet.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Betim Shala, e pyeti dëshmitarin nëse ka njohuri se a ka qenë djali i tij përdorues i lëndëve narkotike.

Lidhur me këtë pyetje, dëshmitari tha se i akuzuari i kishte thënë se një herë i kishte provuar lëndët narkotike, mirëpo pas kësaj i akuzuari i kishte premtuar se nuk do ta provojë më.

“Jemi kanë njëherë në kerr, u kanë në pushim në Spanjë, ka thanë: ‘Një herë babi e kam provu” po tu keshë. I thash: ‘Qysh nuk të vjen marre”… Ma ka dhanë fjalën dhe ashtu ka vepru” – tha dëshmitari Nika.

Lidhur me dëshmitaren tjetër E.L.,  e cila kishte qenë e thirrur që të dëshmojë në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri tha se e njëjta nuk është paraqitur në seancë dhe mungesën e saj nuk e ka arsyetuar, dhe për seancën e radhës gjyqtari Bahtiri tha se Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për në muajin korrik 2025.

Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.

Kjo çështje është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Medie Bytyqi dhe Alltëne Murseli.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023 në Fushë-Kosovë, në hotel “Sonoma”, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M. K.U., paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hynë ne hotelin – dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Endrit Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën, ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet e dëmtuara dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës i pandehuri Nika e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast tani e ndjera M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka ndërruar jetë në QKUK.

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Endrit Nika nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë

  • Shkrime të ngjashme

    Ministria del me njoftim për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, i paralajmëron për rregullat dhe pasojat nëse s’i respektojnë

    Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë më një njoftim lidhur me shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për të Huajt. MPB  ua ka kujtuar se me rastin e hyrjes në Kosovë, të…

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…