Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

 

 

Në një realitet të ri politik ku çdo element i identitetit shqiptar po shpërbëhet sistematikisht, gjuha shqipe mbetet allka e fundit e pa thyer kundër strategjisë së kurdisur për të zhbërë arritjet e shqiptarëve në Maqedoni. Manovra e fundit për të ripërcaktuar Inspektoratin e Gjuhës Shqipe, duke e vendosur nën kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë, ka ndezur një zjarr të ri në klimën tashmë të brishtë politike, duke kërcënuar heqjen e një të drejte të fituar me mund e sakrificë.

E pastaj është Mickoski. Luftëtari i vetëshpallur kundër korrupsionit, dikur duke u mburrur me premtime për drejtësi, sot i ekspozuar si mbrojtësi më i madh i atyre që dikur betohej se do t’i largonte. Jo thjesht i qetë ndaj krimeve, por aktivisht i përfshirë në mbrojtjen e tyre, sikur korrupsioni të ishte vetëm një e metë e vogël në një kostum të qepur me kujdes.

Shihni Çairin, ku ndërtesat kolektive mbijnë si kërpudha pas shiut, duke u ngritur pa leje, pa ligj, pa llogaridhënie. Akuzat ndaj Visar Ganiut dhe Izet Mexhitit, Kryetar i LD-së, të rënduara nga kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, tregojnë një realitet të zymtë të papërgjegjshmërisë totale dhe krimit të organizuar. Por pse të ndalemi aty? Tetova po mbytet nga një skandal po aq i madh. Bilal Kasami, lideri i Besës, është zhytur në një aferë që vjen erë mashtrimi, korrupsioni dhe vjedhjeje. Një pronë me vlera historike u shit për një shifër qesharake prej 7,000 euro, për t’u rishitur më pas për 5 milionë. Një qytet me rrënjë të thella, i shitur për ca lekë të thata, tradhtuar si një relike e vjetër në duart e atyre që flasin gjuhën e mashtrimit më mirë se gjuhën e drejtësisë.

Dhe Mickoski? Ai e ka llogaritur mirë. Me daljen e Taravarit, VLEN nuk vlen më asnjë kacidhe. Një koalicion i brishtë në prag të shpërbërjes, po të arrestohen këta njerës, në lojë do të mbetet vetëm Alternava, një parti që mezi mbledh 300 votues, një numër aq i vogël sa mezi mbush një sallë dasmash. Nuk është çudi që Mickoski u pa aq nervoz pas largimit të Taravarit. Kur gurët fillojnë të bien, edhe iluzionet më të mëdha shemben.

Por mos u shqetësoni, Mickoski e ka justifikimin gati. Ai mund t’u thotë votuesve se ka kërkuar gjithandej dhe nuk ka gjetur aleatë më të mirë, asnjë më të etur, më të vendosur, më të gatshëm për të zhbërë të drejtat e shqiptarëve me efikasitet absolut. Maqedonisë kjo i kushton vetëm disa miliona, shqiptarëve u kushton gjithçka, duke parë historinë të kthehet pas në kohë, një ripërsëritje mizore e periudhës para luftës.

Me ndihmën e hyzmeqarëve të tij shqiptarë, VMRO ka arritur ta shndërrojë Maqedoninë nga një shtet demokratik në një mbretëri ku shumica vendos. Mesazhi është i qartë: shqiptarët tani do të jenë në mëshirën e padronëve të tyre, të drejtat e tyre të fituara me mund dhe gjak reduktohen në monedhë pazari, një lojë e manipuluar ku rregullat ishin shkruar shumë kohë para se ata të uleshin në tryezë.

 

Analizë për Kosova Free Voice Agency- KFVA, nën autorësinë e ekspertit të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut, G.A.

 

Related Posts