Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Në mëngjesin e një dite, dymbëdhjetë marinë amerikanë morën pozita në një fushë në ishullin e qetë suedez Gotland, rreth 300 kilometra nga enklava ruse e Kaliningradit, dhe lëshuan raketa nga një sistem raketor mobil.

Edhe pse u përdorën raketa false që ranë në Detin Baltik, mesazhi i dërguar Rusisë ishte i qartë: ndërkohë që presidenti Donald Trump po e fut NATO-n në një krizë historike duke vënë në dyshim efektivitetin e saj, ushtria amerikane po forcon praninë në veri të Evropës, shkruan Wall Street Journal.

Administrata e Trump dëshiron që NATO të bëhet më “vrasëse”, dhe veriu i Evropës është shndërruar në një poligon për testimin e kësaj strategjie – një rajon ku Aleanca qëndron përballë Rusisë në dy fronte.

Ndërsa disa zyrtarë evropianë shprehin shqetësim për dobësimin e angazhimit amerikan ndaj aleancës transatlantike për shkak të kritikave të Trump dhe njoftimeve për ulje të angazhimit ushtarak jashtë vendit, komandantët amerikanë ushtarakë thonë se doktrina operative e tyre nuk ka ndryshuar.

Veriu i Evropës dhe vendet baltike janë bërë pika qendrore e planifikimit ushtarak amerikan

“Nga këndvështrimi i Ushtrisë Amerikane, urdhrat e mia nuk kanë ndryshuar”, tha gjenerali brigade, Andrew Saslav, zv/drejtor i stafet operacionale të Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë dhe shtoi se “sigurisht që mendoj për çështjen e angazhimit të ardhshëm të SHBA-së, por merrem me këtë gjë prej kohësh dhe nuk mendoj shumë për mesazhet politike që nuk janë urdhra zyrtarë”.

Veriu i Evropës dhe vendet baltike janë bërë pika qendrore e planifikimit ushtarak amerikan sepse pozicioni i tyre dhe qasja në rrugët detare dhe burimet e energjisë e bëjnë rajonin kyç në një periudhë të re tensionesh gjeopolitike.

Ky është një territor tradicionalisht shumë kritik ndaj Rusisë dhe është shtysa për nisma evropiane për forcimin e buxheteve të mbrojtjes dhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Gjatë një stërvitjeje tre javore, forcat amerikane dhe britanike u bashkuan me trupat nordike dhe baltike për të praktikuar skenarë të mundshëm lufte, duke përfshirë goditje luftarake, transport të furnizimeve me dronë dhe hedhje me parashutë mbi Rrethin Arktik në Norvegji.

Qëllimi i stërvitjes ishte dyfishtë: të shmangej agresioni rus dhe të forcohej bashkëpunimi i aleatëve në këtë kënd strategjik të Evropës, përfshirë edhe anëtarët e rinj të NATO-s, Finlandën dhe Suedinë.

Vendet nordike kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen

“Tani që Finlanda dhe Suedia janë anëtare të NATO-s, ne kemi një territor të bashkuar të Aleancës veriore të Rrethit Arktik,” tha Kristian Åtland, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Norvegjez të Kërkimeve të Mbrojtjes, që këshillon forcat e armatosura norvegjeze. “Zgjerimi i NATO-s drejt vendeve nordike gjithashtu e ka bërë më të lehtë dërgimin e forcave të përforcuara në vendet baltike në rast krize ose konflikti ushtarak në rajon”, shtoi ai.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, vendet nordike kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen. Finlanda ndan një kufi prej 1300 kilometrash me Rusinë. Norvegjia kufizohet me Gadishullin Kolsk, ku ndodhet flota kryesore ruse e nëndetëseve, Flota e Veriut.

Estonia, Letonia dhe Lituania prej vitesh paralajmërojnë për ambiciet ekspansioniste të Rusisë dhe ofrojnë informacion të vlefshëm inteligjence mbi fqinjët e tyre lindorë. Zyrtarët në rajon theksojnë se forca e marrëdhënieve me SHBA-në nuk duhet të dobësojë unitetin e Aleancës.

“Nuk bëhet fjalë për krijimin e një klubi brenda klubit, por për forcimin e NATO-s,” tha Carl-Johan Edstrom, shefi i stafit të ushtrisë suedeze. “Paralelisht me këtë, është e mundur të kryhen stërvitje dhe operacione bilaterale ose multilaterale, që forcojnë më tej mbrojtjen kolektive”, shtoi ai.

Një nga vendet më të rëndësishme strategjike në Evropën e Veriut

Gotlandi është një nga vendet më të rëndësishme strategjike në Evropën e Veriut, ku është e mundur vendosja e sensorëve dhe sistemeve me rreze të gjatë për kontrollin e hapësirës ajrore dhe detare në rajonin e Detit Baltik. “Jam i sigurt që Putini ka të dy sytë drejtuar Gotlandit. Qëllimi i Putinit është të marrë kontrollin mbi Detin Baltik,” deklaroi Micael Bydén, ish-komandanti suprem i forcave të armatosura suedeze.

"Ndryshoni mentalitetin, përgatituni për të keqen" - Evropa përgatit qytetarët e saj për luftë

Lexo po ashtu“Ndryshoni mentalitetin, përgatituni për të keqen” – Evropa përgatit qytetarët e saj për luftë

“Pasi pozicionet detare ruse në Detin Baltik janë shumë të cenueshme, çdo konflikt do të përfshinte një përpjekje ruse për të marrë nën kontroll portet kyçe në vendet baltike, Finlandë dhe Poloni,” tha Stefan Lundqvist, përfaqësues suedez në Qendrën për Studime të Sigurisë Arktike Ted Stevens në Alaskë. “Gotlandi pothuajse me siguri do të jetë vendi i veprimeve armiqësore në fazat e para të një konflikti të mundshëm”, shtoi ai.

Pas viteve të demilitarizimit, Gotlandi sot është pika qendrore e riarmatosjes suedeze. Në rast lufte, ishulli do të shërbente si një nyje logjistike e NATO-s, pikë komunikimi për mbikëqyrjen e rrugëve detare dhe bazë për përgatitjen e operacioneve ofensive thellë në territorin armik.

Forcat e planifikuara në kushte lufte janë rreth 4500 ushtarë

Forcat e planifikuara në kushtet e luftës janë rreth 4500 ushtarë, dhe çdo vit në ishull mbërrijnë qindra rekrutë. Ata e kanë të vështirë t’i përshtaten komunitetit, ku shumë banorë janë zhvendosur në vitet e fundit për shkak të bukurive natyrore dhe rrugicave të mesjetës me gurë, pa pritur që në lagje të shfaqen zona stërvitore për përdorim të armëve.

Për të stërvitur mbrojtjen e Gotlandit, javën e kaluar një skuadër britanike e vëzhguesve zhvilloi një operacion vëzhgimi, ndërsa disa ditë më vonë 110 parashutistë britanikë u hodhën nga lartësia 300 metra nga dy aeroplanëve transportues A400M dhe kaluan natën duke ecur nëpër pyll drejt zonës së paracaktuar për ulje të aeroplanëve.

Ndërkohë, pak para mesnatës, një njësi e marinës amerikane mbërriti afër me një sistem raketor mobil, gati për dislokim të shpejtë në rast lufte. Vetëm disa orë më parë ata ishin në Norvegji. Pas lëshimit të raketave false, që ishin shtylla betoni, sistemi u transferua menjëherë në Finlandë për një demonstrim të ngjashëm.

Vendimi i Trumpit mund të rrezikojë arritjet deri më tani

Sistemi M142 HIMARS (Sistemi i Lëvizshëm i Artilerisë me Raketë) ka ndikuar shumë në rrjedhën e luftës në Ukrainë që prej kur Shtetet e Bashkuara filluan ta furnizojnë në mes të vitit 2022. Ky sistem përdor raketa GMLRS me rreze prej rreth 70 kilometrash dhe raketa me rreze të gjatë ATACMS, të cilat mund të godasin objektiva deri në 300 kilometra largësi.

Ukraina i ka përdorur ato për të goditur logjistikën ruse, tanke, ura, njësitë këmbësore dhe depot e municioneve. Por, vendimi i Trumpit për të ndaluar furnizimin me armë ndaj Ukrainës mund të rrezikojë sukseset e arritura deri tani. Një nga sfidat kryesore për anëtarët e NATO-s është të sigurojnë që sistemet e tyre ushtarake të funksionojnë në harmoni.

Lëshimi amerikan i raketave në Gotland mbështetej në një komunikim shumëkombësh kompleks dhe sensorë, sisteme komandimi dhe kontrolli, si dhe baza ajrore në disa vende. Në Lituani, forcat e NATO-s simuluan evakuimin dhe trajtimin e të plagosurve përmes tre sistemeve të ndihmës dhe evakuimit mjekësor, secili nga një vend tjetër.

Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, i cili sot në masë të madhe kontrollohet nga kompanitë private dhe jo nga qeveritë, e vështirëson edhe më shumë këtë koordinim. “Sfidë jonë sot është – si të ruajmë unitetin e Aleancës në këto ndryshime kaq të shpejta?” tha gjenerali Saslav. /

Related Posts