Reforma e sistemit tatimor në Amerikë, e propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shumë kundërshtarë mes anëtarëve të Partisë Demokratike, por si kritik i veçuar është shfaqur edhe Elon Musk, miliarderi dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij.
Në një video të publikuar në rrjetin e tij social, X, Musk shprehu keqardhje për ligjin që tashmë është miratuar nga shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, pas presionit nga Shtëpia e Bardhë.
“Isha i zhgënjyer kur pashë ligjin gjigant të shpenzimeve, sinqerisht, i cili rrit deficitin buxhetor dhe jo e ul atë, dhe që minon punën që po bën ekipi DOGE (Departamenti joformal për efikasitetin e qeverisë). Mendoj se një ligj mund të jetë i madh ose i bukur, por nuk e di nëse mund të jetë të dyja njëkohësisht”, tha miliarderi.
Ligji “i madh dhe i bukur” i Trumpit përfshin triliona dollarë në ulje taksash dhe një rritje të madhe të shpenzimeve për ushtrinë amerikane dhe sigurinë kombëtare – që financohen kryesisht përmes reformave në programet federale të kujdesit shëndetësor dhe ushqimit, si dhe shkurtimeve në programet për energjinë.
Zyra jopartiake e Buxhetit të Kongresit vlerëson se ky ligj do ta rrisë më tej deficitin me 3.8 trilionë dollarë. Ligji u miratua ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar dhe tani shkon në Senat, ku pritet t’i nënshtrohet ndryshimeve të shumta.
Duhet theksuar se kohët e fundit Musk është tërhequr nga angazhimet me qeverinë me kohë të plotë për t’u përqendruar te kompanitë e tij, përfshirë SpaceX dhe Tesla, të cilat pjesërisht kanë hasur vështirësi për shkak të lidhjes së Musk me administratën Trump.
Ai e komentoi këtë vendim në një intervistë për Ars Technica.
“Mendoj se ndoshta kam kaluar pak më shumë kohë me politikën – më pak sesa mendojnë njerëzit, sepse mediat gjithmonë do të theksojnë çdo temë politike, pasi debatet politike tërheqin shumë vëmendje”, tha ai kur u pyet nëse mendonte që përqendrimi i tij në politikë gjatë vitit të kaluar i ka “dëmtuar” SpaceX-it.
Musk gjithashtu deklaroi se në të ardhmen do të shpenzojë “shumë më pak” para për politikën, por ende nuk është e qartë nëse këto deklarata nënkuptojnë edhe një ndryshim në premtimin e tij për të investuar 100 milionë dollarë në grupet politike të kontrolluara nga Trump.
Grupet e lidhura me Musk gjithashtu kishin shpenzuar më shumë se 20 milionë dollarë në zgjedhjet për gjyqtarin e Gjykatës Supreme të Wisconsin-it më herët këtë vit, në të cilat kandidati i tij përfundimisht humbi.
Megjithatë, vlen të theksohet se Musk vazhdon të mbrojë publikisht departamentin e tij joformal, dhe CNN më herët ka raportuar se DOGE do të vazhdojë punën pa praninë e Musk.