Pse ushtrimi Defender Europe 25 është i rëndësishëm për Kosovën, flet koloneli në pension i FSK-së

 

 

Koloneli në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Afrim Veseli, ka deklaruar se ushtrimi ushtarak fushor “Defender Europe 2025” përbën një “ditë të madhe” jo vetëm për ushtrinë, por edhe për qytetarët e Kosovës.

“Ditë e madhe për Kosovën. Ditë të tilla të lumtura kemi pasur pak kohët e fundit, pa dallim etnie. Edhe Kosova është pjesë e një ushtrimi të madh ushtarak që po zhvillohet në territorin e saj dhe me ushtrinë e saj. Kur përmendet NATO-ja dhe Ushtria e SHBA-së, përmenden forcat që mbrojnë lirinë dhe demokracinë në botë. Nuk ka dëshmitarë më të mëdhenj se Kosova dhe qytetarët e saj, duke rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s dhe SHBA-ve në kohën kur ishim përballë shfarosjes dhe gjenocidit”, theksoi Veseldi.

Ai kujtoi edhe përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi “Defender Europe 2023”, duke e cilësuar atë si një “dënim politik” për zhvillimet e brendshme në vend.

“Pavarësisht ‘lojërave politike’ që kanë ndodhur, FSK-ja ka mbetur partner besnik i SHBA-ve dhe ushtrisë amerikane. Që nga themelimi i saj më 2009, Ushtria Amerikane ka qenë mbështetëse e palëkundur e FSK-së dhe ka hapur dyer në aspektin ushtarak dhe diplomatik”.

Ushtrimi “Defender Europe 2025” ka nisur zyrtarisht sot dhe Kosova është një nga 18 shtetet pritëse. Ky është ushtrimi më i madh shumëkombësh i organizuar ndonjëherë në territorin e Kosovës.

Nën drejtimin e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, në këtë stërvitje pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Forca e Sigurisë së Kosovës do të bashkëpunojë me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse në operacione simuluese mbrojtëse, sulmuese dhe të stabilitetit. Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim do të jetë me rreth 1,000 pjesëtarë, të dislokuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha gjatë ditës se ky ushtrim dëshmon besimin që Shtetet e Bashkuara kanë në institucionet e Kosovës.

“Këtë vit, për herë të parë, në aeroportin e Gjakovës është vendosur komanda taktike e Divizionit të 8-të të këmbësorisë amerikane, e cila do të udhëheqë të gjitha brigadat që do të kryejnë stërvitje në Ballkan. Kjo është dëshmi e besimit që SHBA-të kanë në shtetin e Kosovës dhe në kapacitetet tona organizative”.

Ai njoftoi gjithashtu se më 13 qershor në Pentagon do të nënshkruhet marrëveshja kornizë e mbrojtjes mes Kosovës dhe SHBA-ve, e para e këtij niveli.

“Mbajtja e këtij ushtrimi në Kosovë është një mesazh politik se vendi ynë është një shtet i qëndrueshëm dhe i denjë, i gatshëm të kontribuojë për paqen rajonale dhe globale.”

Stërvitja “Defender Europe 2025” në Kosovë do të zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.

  • Shkrime të ngjashme

    Ministria del me njoftim për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, i paralajmëron për rregullat dhe pasojat nëse s’i respektojnë

    Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë më një njoftim lidhur me shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për të Huajt. MPB  ua ka kujtuar se me rastin e hyrjes në Kosovë, të…

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…