Ish-drejtori i KEDS/KESCO, Ylber Batalli emërohet drejtor i ri i KEK-ut

Ylber Batalli, ish drejtor i KEDS/KESCO është zgjedhur drejtor i ri i KEK-ut.

Aktualisht, Ylber Batalli është Legal Energy Professional në kompaninë amerikane Tetra Tech International Development Services, pozitë të cilën e mban që nga gushti i vitit 2016.

Siç raporton Gazeta Infokus, ai është ende i angazhuar në këtë funksion dhe aktualisht punon në Ukrainë si ekspert ndërkombëtar në kuadër të një projekti për reformimin dhe komercializimin e sektorit energjetik.

Në aspektin akademik, Batalli ka kryer studimet për LLM në Ligjin dhe Politikat e Energjisë (Energy Law and Policy) në University of Dundee, në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të qendrës prestigjioze CEPMLP – Center for Energy, Petroleum and Mineral Law and Policy, informata këto që i ka të publikuara.

KEK-u – epiqendra e aferave multimilionëshe të korrupsionit nën qeverisjen Kurti

Emërimi i drejtorit të ri vjen pas një periudhe të gjatë dyshimesh dhe aferash në KEK, që kulmuan me arrestimin e ish-drejtorit Nagip Krasniqi në mars të vitit 2023, për dyshime të rënda për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikt interesi, ushtrim ndikimi dhe kurdisje të tenderëve.

Që nga arrestimi i tij, KEK-u ka funksionuar në mënyrë të përkohshme me ushtrues detyre, me disa ndërrime të njëpasnjëshme në krye të menaxhmentit. Me dhjetëra skandale janë publikuar në media, përfshirë edhe atë me mesazhe, ku u zbulua se ekzistonte një grup në WhatsApp, ku koordinoheshin aktivitetet e prokurimit dhe tregtimit të energjisë elektrike. Në atë grup ishin të përfshirë edhe kryeministri Albin Kurti, personi jozyrtar Dejona Mihali dhe ministrja Artane Rizvanolli.

Korporata Energjetike e Kosovës është ndërmarrja publike më e përfshirë në dyshime për keqpërdorime multimilionëshe gjatë mandatit të qeverisë Kurti, përfshirë tenderë të dyshimtë, shkelje të procedurave ligjore dhe favorizime në kontrata publike. Afera të shumta janë trajtuar nga mediat dhe organet e drejtësisë, ndërkohë që vetë qeveria ka shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rënduar në këtë sektor strategjik.

Dyshime të shumta lidhen me mafinë energjetike dhe skema të paimagjinueshme, sikurse rasti i zhvatjes së miliona eurove vetëm përmes linjës së transportit të energjisë elektrike, nga një kompani e quajtur NOA, e cila ishte themeluar pas ardhjes në pushtet të LVV-së dhe që për vetëm katër vite u ngrit në mesin e 10 kompanive me qarkullimin më të madh financiar në Kosovë.

Ndryshimet e shpeshta në KEK që nga viti 2019

Nga viti 2019 deri më tani, në KEK janë ndërruar një numër i madh kryeshefash ekzekutivë, duke përfshirë edhe disa që kanë qenë ushtrues detyre. Kjo edhe si pasojë e dyshimeve të shumta për afera korruptive. Fillimisht, pas ndryshimit të pushtetit, në krye të ndërmarrjes u emërua si ushtrues detyre e më pas si i zgjedhur Luigj Imeri; pas tij Përparim Kabashi, Nagip Krasniqi, Bekir Gërguri, si dhe disa emra të tjerë krejtësisht anonimë dhe me background të dobët profesional, të zgjedhur vetëm pse ishin të afërt me partinë në pushtet.

Ndërsa i zgjedhuri i tanishëm, Ylber Batalli, të paktën jozyrtarisht, nuk ka lidhje të afërta partiake dhe nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie politike. Po ashtu, nga informacionet e marra, nuk rezulton të jetë i përfshirë në ndonjë aferë korruptive.

Batalli njihet si profesionist i sektorit energjetik dhe ka qenë i angazhuar edhe si ideator dhe hartues profesional i disa projekteve private të kompanive vendore për prodhimin e energjisë solare.

Shkrime të ngjashme

Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…