• Sat. Nov 22nd, 2025

Çitaku-Kurtit: Reflekto, qytetarët s’kanë votuar për bllokadë

May 25, 2025

 

 

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të mos vazhdojë bllokadën e krijuar tash e sa javë lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Pas dështimit të seancës së XXI-të, ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, por për formim të institucioneve, teksa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e bllokon këtë proces.

“I bëjmë thirrje, i bëjmë ftesë z.Kurti që të reflektojë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja që do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve. Fatkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur. I bëjmë edhe një herë apel në mënyrë që të ecim tutje. Kërkoj falje që nuk po kemi lajme më të mira për juve”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Të dielën, ligjbërësit refuzuan për të trembëdhjetën herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të dielën, ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të martën e 27 majit.