by kfvanews

Share

by kfvanews

Share

 

 

Një operacion i gjerë kundër korrupsionit është zhvilluar të mërkurën në Prizren. Gjatë aksionit janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

Gazeta raportoi se ishte arrestuar avokati Bekim Parallangaj. Bashkë me të ishte arrestuar edhe zyrtari i Gjykatës në Prizren, Nysret Pepniku, i njohur me pseudonimin Ceti.

Si dhe një person tjetër, i cili ishte në proces identifikimi sa i përket vendit të punës, por që kishte shërbyer si ndërmjetës në grup, me emrin Bekim Krasniqi.

Të njëjtëve tashmë i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata në Gjilan, ndërsa kërkesa ishte bërë nga Prokuroria.

Gazeta sjell dosjen e Prokurorisë, për çka dyshohen ata?

Në dosjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan të cilin e ka siguruar Insajderi thuhet se ekziston rreziku real se me lënien e të pandehurve në liri ata mund të ndikojnë tek njëri tjetri duke pasur parasysh edhe formën e bashkëpunimin me rastin e kryerjes së veprave penale.

“Po ashtu gjyqtari i procedurës paraprake vlerëson se në rastin konkret është plotësuar edhe kushti ligjor nga neni 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.2, pika 1.2.2 e KPP-së për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur sepse ekziston rreziku real se me lënien e të pandehurve në liri ata mund të ndikojnë tek njëri tjetri duke pasur parasysh edhe formën e bashkëpunimin me rastin e kryerjes së veprave penale nga ana e të pandehurve por gjithashtu të njejtit mund të ndikojnë edhe në të dëshmitaren”, thuhet në vendim.

Po ashtu bëhet e ditur se të dyshuarve do të ekzaminohen edhe telefonat mobil e që rrjedhimisht mund të zbulohen persona të tjerë të përfshirë.

“Në AKF në Prishtinë do të ekzaminohen edhe telefonat mobil të pandehurve të cilët janë sekuestruar ditën e arrestimit nga të cilët pritet që të identifikohen edhe persona tjerë me të cilët të pandehurit kanë pasur bashkëpunim në ushtrimin e ndikimit, për çka edhe hetimet do të mund të zgjerohen varësisht prej provave të nxjerra, për persona dhe vepra tjera penale dhe si rrjedhojë në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha normale e procedues penale”, theksohet aty.

Në dosje thuhet se të dyshuarit kanë tentuar të i mashtrojnë viktimat se kinse janë duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje të prokurorit të shtetit.

Ata i kërkuan në këmbim para dhe u kapen në flagrancë.

“Mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku të pandehurit tregojnë këmbëngulësi në kryerjen e veprës, aq sa përveç komunikimeve fizike dhe telefonike, ata tentojnë ti mashtrojnë viktimat se kinse janë duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje të prokurorit të shtetit, të cilëve u kërkojnë të holla me të cilat arrestohen në flagrancë, po ashtu duke marrë parasysh pozitat që kanë mbajtur për kohë të gjatë në një rreth të ngushtë siç është qyteti i Prizrenit, afërsinë shoqërore pa përjashtuar edhe atë miqësore që kane me zyrtarë, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar drejtpërdrejtë në dokumentacion dhe në dëshmitarë, të cilët i njohin personalisht, deklaratat e të cilëve ende nuk janë marrë e të cilët do të dëgjohen në prokurori lidhur me këtë çështje penalo-juridike”, thuhet në arsyetimin për paraburgim të tyre.

Madje, i arrestuari Bekim Krasniqi, rezulton që ka të kaluar kriminale. Ai ka 16 raste.

“Në bazë të dhënave nga data baza policore për të pandehurin Bekim Krasniqi, rezulton që ka të kaluar kriminale dhe nuk është hera e parë që bie ndesh me ligjin, të njëjtit i figurojnë 16 (gjashtëmbëdhjetë) vepra penale nga këto 13 (trembëdhjetë) vepra penale te mashtrimit – raste si i dyshuar e që një situatë e tillë vlerësuese vlen edhe për dy të pandehurit tjerë të cilët mbanin pozita në sistem të drejtësisë dhe shoqëroheshin dhe bashkëpunonin me një personalitet të tillë me recidivizëm të shumëfishtë e gjithë kjo me qëllim të përfitimit material dhe bazuar në të lartcekur rezulton se ekziston rreziku real se me lënin e të pandehurve në liri ata mund ti përsërisin veprat penale apo të kryejnë edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja edhe më të rënda”, thuhet në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar gazeta.

Të dyshuarit, në bashkëveprim, dyshohet se i kanë premtuar një viktime ndikim në vendimmarrje te një zyrtar publik për lirimin nga paraburgimi të një personi të dyshuar për rastin “Fajdeja”.

“Sektorin Rajonal i Hetimeve/DRP- Prizren, pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren sot me datë 22.05.2025 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, të cilët në bashkëveprim i kane premtuar një viktime, se nê emër të personit zyrtar do të ndikojnë në vendimmarrje tek personi zyrtar, për lirimin e një te dyshuari nga paraburgimi, i cili është i dyshuar për rastin “Fajdeja”, tha Bytyqi.

“Gjatë operacionit policor i dyshuari nr.1 (i pa punë), i dyshuari nr.2.(shofer ne Gjykatën Themelore ne Prizren) dhe i dyshuari nr.3 (avokat) janë arrestuar dhe shoqëruar në ambientet e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren”.

Related Posts