Lladrovci në Zvicër me Osmanin: Pritje si për shtet të parë, jo të harruar!

 

 

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se ka qenë i nderuar të jetë pjesë e ekipit të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë vizitës zyrtare në Konfederatën e Zvicrës, vend mik dhe me lidhje të fuqishme me Kosovën dhe popullin tonë.

Ai ka shprehur disa falënderime, duke treguar edhe për vizitën e realizuar, transmeton KFVA.

“Faleminderit për konsideratën Presidente Osmani-Sadriu, mirënjohës për mikpritjen, miqësinë dhe nderimin e Presidentes së Zvicrës ndaj nesh, znj. Keller-Sutter me Kabinetin Federal. Vizita filloi në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës, pastaj u zhvillua ceremonia zyrtare e pritjes nga Presidentja Keller-Sutter me bashkëshortin në Bundesplatz, Bernë”, ka pohuar ai.

Mes tjerash, ai ka shtuar “Takimet vijuan me fjalime zyrtare të Presidentes Osmani-Sadriu dhe Presidentes së Zvicrës, Keller-Sutter, në Pallatin Federal të Zvicrës, në prani të anëtarëve të Këshillit Federal Zviceran”.

“Takim i jashtëzakonshëm u zhvillua në shesh me mërgimtarët tanë dhe qytetarët, ishte një pritje madhështore. Pas takimit dypalësh në Bernë, u mbajt konferenca e përbashkët për media. Takimi bilateral u fokusua në thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor, arsimor dhe në fushat tjera me interes të përbashkët, me këtë rast, mërgata e Kosovës u cilësua si motor i zhvillimit në shtetin helvetik”, deklaroi ai.

Lladrovci ka pohuar se “Në Darkën Shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës dhe Këshilli Federal zviceran me pjesëtarë të mërgatës tonë të suksesshëm të fushave të ndryshme u theksua mundësia e fuqizimit të bashkëpunimit dhe partneritetit me interes të përbashkët”.

“Gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore në Zvicër, qëndruam në vendlindjen e presidentes Keller-Sutter, në kantonin St. Gallen dhe Thurgau, ku u njohëm me vlerat dhe historinë e këtyre kantoneve, në veçanti investimet në inovacion. Agjenda vazhdoi me pjesëmarrjen në ngjarjen dedikuar jetës dhe punës së mikut të madh të Kosovës, presidentit Martti Ahtisaari. Vizita u përmbyll me takimin e zhvilluar me mërgatën tonë Gjenevë, ku u shpalosën vlerat e mërgimtarëve tanë dhe shfaqje e mrekullueshme kulturore, e pasur me folklorin, recitime, këngë e valle”.

Ai shkroi tutje se “Takimet ishin shumë të përzemërta dhe dëshmonin se Kosova zë vend të rëndësishëm në zhvillimin e vendit mikpritës, vendit që i hapi dyert kur qytetarët e Kosovës kishin më së shumti nevojë, shtetit që i rri krah Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Faleminderit për nderimin presidente Vjosa Osmani-Sadriu, faleminderit presidente Keller-Sutter, faleminderit mërgimtarë, miq e dashamirë. Ditët e qëndrimit zyrtar në Zvicër, ishin dëshmi e nderimit të madh që i bëhej Republikës së Kosovës, Presidentes Osmani-Sadriu dhe ekipit të saj”./KFVA/

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…