Çka fiton Kosova politikisht e ushtarakisht nga “Defender Europe 2025”?

 

 

Të hënën në Kosovë do të fillojë ushtrimi i madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 2025”. Nën udhëheqjen e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtarët e FSK-së bashkë me ushtarë të dhjetëra vendeve të tjera do të kryejnë shumë lloje të trajnimeve ushtarake.

Nga data 26 maj deri më 9 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç SHBA-së dhe Kosovës, në të marrin pjesë edhe Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Në 8 vendet pritëse të këtij ushtrimi, përfshirë Kosovën, do të marrin pjesë rreth 12 mijë ushtarë nga SHBA-ja dhe 19 vende aleate.

Për Kosovën, ky do të jetë një rikthim në këtë ushtrim, meqë në vitin 2023 pavarësisht se ishte nikoqire, u përjashtua për shkak të tensioneve në veri të vendit.

Organizimin e sivjetmë, ish-ushtaraku Afrim Veseli e vlerëson si mirëbesim dhe partneritet mes Kosovës dhe SHBA-së.

Dobia e saj nuk është vetëm në aspektin ushtarak, por mesazhet janë shumëdimensionale, edhe në aspektin politik: që Kosova nuk është vetëm, është me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është tregues i qartë që SHBA-ja dhe ushtria amerikane kanë besim ndaj ushtrisë së Kosovës për zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të saj ushtarake”, ka thënë për TV Dukagjinin Afrim Veseli, ish-ushtarak.

Megjithatë, për ushtarët e FSK-së kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për të avancuar dhe rritur njohuritë e tyre, shton Veseli.

“Në shumë teknika, taktika dhe procedura. Taktikat e ndryshme ushtarake të sulmit, të mbrojtjes, përdorimit të armëve të kalibrave të ndryshëm. Është një mësim i jashtëzakonshëm të marrin praktika se si i zhvillojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj sistemi i komunikimit”, shtoi Veseli.

E, sipas analistes politike Magbule Shkodra, kjo tregon partneritetin që SHBA-ja ka me Kosovën, por sipas saj, aspekti politik në këtë rast është më pak i përfshirë.

“Unë e shoh këtë kryekëput në aspektin e sigurisë. Ka një kohë që ne shohim ndryshime gjeopolitike që po ndodhin, dhe së fundmi vizita e Kaja Kallas, që kishte një mesazh në rreshtat e saj se siguria është prioritet dhe Ballkani duhet të jetë kontribuues i sigurisë, dhe në asnjë mënyrë të mos vijë deri te një eskalim”, ka thënë Magbule Shkodra, analiste politike.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë periudhës së ushtrimit do të ketë lëvizje të konvojeve nga bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…